“Nuk jemi dakord me liderin, por s’kemi çfarë bëjmë”, Krasniqi zbulon debatet në partitë politike

Nga A2 CNN
29 Shtator 2026, 23:05 | Politikë

Politologu Afrim Krasniqi u shpreh se “nuk ekziston Partia Socialiste, nuk ekziston Partia Demokratike, nuk ekziston Partia e Lirisë”, por, sipas tij, vetëm liderët e tyre.

“Shqetësimi im është që nuk ekziston Partia Socialiste, nuk ekziston Partia Demokratike, nuk ekziston Partia e Lirisë. Ekzistojnë vetëm liderët. Në cilin vend botës mund të ndodhë që lideri mos pranojë as formalisht të votohet për 20 vjet? Si shpjegohet që ai nuk e mbledh kurrë Kryesinë e partisë për skandalin e radhës, për të sqaruar çfarë ndodh, por thotë “çfarë po bëni ju për të hequr akuzat kundër meje”? Ky është shqetësimi kryesor që ka partia në pushtet. Nuk përmend as reforma, as prioritete, as si ta bëjmë qeverisjen më funksionale, as masa antikorrupsion... S'janë fare temë debati këto. Debatet janë si t'i bindim njerëzit tanë, ata që janë struktura e votuesve besnikë, që të mos na largohen dhe mos të jenë qejfmetur për këto gjëra që po ndodhin. Te opozita ke të njëjtën situatë”, tha Krasniqi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Politologu shtoi se deputetët nuk janë dakord me liderët, por nuk kanë zgjidhje tjetër.

“Kur ne takojmë deputetë të PS-së, na thonë: “nuk jemi dakord me liderin, por s'kemi ç' bëjmë”. Dhe unë nuk mendoj që janë të gjithë të shitur, por ky është mekanizmi që i ka detyruar ata për të heshtur dhe kanë gjetur qasje pragmatike sepse bëjnë karrierë dhe fitojnë nga benefitet personalisht dhe familjarisht. E njëjta gjë te opozita. Të gjithë thonë “nuk jemi dakord, e dimë që duhet ndryshuar, por e kemi të pamundur”. E njëjta gjë edhe te partia e tretë politike ose e katërt. Në këtë lloj këndvështrimi ne kemi ngelur peng i 3-4 individëve”, shtoi Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos