Trump mbledh udhëheqjen ushtarake, takohet të martën me 800 gjeneralët e Amerikës

Nga A2 CNN
28 Shtator 2025, 18:54 | Bota

Trump mbledh udhëheqjen ushtarake, takohet të martën me 800

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, do të marrë pjesë në një takim me gjeneralët dhe admiralët amerikanë në Quantico të Virxhinias të martën, një takim i rrallë i udhëheqjes ushtarake të vendit.

Takimi i së martës vjen në një epokë tensionesh të larta mes NATO-s dhe Rusisë, por edhe kërcënimesh në rritje nga Kina dhe trazirash të brendshme në SHBA.

Ishte Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth ai që thirri në mënyrë urgjente të gjithë gjeneralët dhe admiralët më të lartë të Forcave të Armatosura Amerikane, një takim i paparë prej dekadash, i organizuar me njoftim të shkurtër, pa shpjegim dhe jashtë protokolleve të zakonshme.

Hegseth pritet të diskutojë nevojën për të ruajtur një "shpirt luftëtari" në të gjithë ushtrinë dhe mund të ngrejë çështje të tjera gjatë takimit, i cili do të zgjasë rreth një orë, thanë zyrtarët amerikanë për Reuters të premten.

Kjo mbledhje e befasishme vjen menjëherë pas vendimeve tronditëse të Hegseth, përfshirë shkarkime masive në Pentagon, uljen me 20% të numrit të gjeneralëve, dhe një hap dramatik që ka ngritur vetullat kudo, pasi edhe Departamenti I Mbrojtjes do të riemërtohet në Departamentin e Luftës.

SHBA-të kanë trupa në të gjithë botën, duke përfshirë edhe vende të largëta si Koreja e Jugut, Japonia dhe në të gjithë Lindjen e Mesme, forca ushtarake të komanduara nga gjeneralë dhe admiralë me dy, tre dhe katër yje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos