
“Giorgia Meloni nuk dëshiron të na ndihmojë në luftë, jam i shokuar”, tha Donald Trump në një bisedë telefonike me Corriere della Sera. Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar kryeministren italiane Giorgia Meloni, të cilën një muaj më parë e përshkroi si një mike dhe një udhëheqëse të madhe që "gjithmonë përpiqet të ndihmojë".
Duke e akuzuar se nuk po mbështet SHBA-në, ai tha se ajo nuk është më i njëjti person dhe Italia nuk do të jetë kurrë i njëjti vend.
“Ajo nuk do të na ndihmojë në luftë. Jam i shokuar. Mendova se ishte e guximshme, por gabohesha”, u shpreh Trump, duke shtuar se Italia nuk po kontribuon as për garantimin e furnizimit me naftë dhe as në përballjen me kërcënimin bërthamor të Iranit.
Trump shkoi më tej duke e cilësuar qëndrimin e saj “të papranueshëm”, ndërsa pretendoi se një Iran me armë bërthamore do të përbënte rrezik serioz për Italinë.
"Ajo thjesht thotë se Italia nuk dëshiron të përfshihet. Edhe pse Italia e merr naftën nga atje, edhe pse Amerika është shumë e rëndësishme për Italinë, ajo nuk mendon se Italia duhet të përfshihet. Ajo mendon se Amerika duhet ta bëjë punën për të."
Ai kritikoi edhe Evropën, duke thënë se “po shkatërron veten nga brenda” për shkak të politikave të energjisë dhe emigracionit.
"Ata paguajnë kostot më të larta të energjisë në botë dhe as nuk janë të përgatitur të luftojnë për Ngushticën e Hormuzit, nga ku e marrin atë. Ata varen nga Donald Trump për ta mbajtur atë të hapur."
Kur u pyet nëse u kërkoi italianëve dhe evropianëve të përdornin minahedhës , presidenti amerikan tha: “U kërkova të dërgonin çfarë të donin, por ata nuk donin sepse NATO është një tigër letre.”
Presidenti amerikan sulmoi gjithashtu Papa Leo për thirrjet për paqe, duke deklaruar se “nuk ka idenë se çfarë po ndodh në Iran”.
"Ai nuk e kupton dhe nuk duhet të flasë për luftë, sepse nuk ka idenë se çfarë po ndodh. Ai nuk e kupton që 42,000 protestues u vranë në Iran muajin e kaluar."
(A2 Televizion)