Presidenti amerikan Donald Trump tha se Rusia dhe Ukraina duhet të arrijnë një marrëveshje dhe u zotua se do të bënte çdo përpjekje për t’i dhënë fund luftës gjatë samitit të G7-tës në Evian Les Bains të Francës.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e bëri këtë deklaratë pas një takimi të zhvilluar me liderët e tjerë të vendeve më të industrializuara, e po ashtu me Presidnetin ukrainas Zelensky, me të cilin pati edhe bisedime të ndara, shkruan A2.
Ky i fundit po shpreson të bindë Trump se pozitat e Ukrainës janë përmirësuar dhe se i duhet më shumë mbështetje: “Shiko, Rusia duhet të bëjë një marrëveshje. Rusia ka humbur një numër të jashtëzakonshëm njerëzish, dhe po ashtu edhe Ukraina. Muajin e kaluar, ata humbën 35 000 ushtarë së bashku”.
Në një postim në rrjetet sociale pas takimit, Zelensky tha se fokusi kryesor është fuqizimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe avancimi i diplomacisë për ta detyruar Rusinë të ndalë luftën.
Diplomatët europianë thanë se tonet e takimit kishin qenë konstruktive. Çështja e Iranit po ashtu dominoi samitin, me Trump që nuk hezitoi të shprehte frustrimin ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.
Ai tha për gazetarët se Netanyahu duhet të jetë më i përgjegjshëm lidhur me Libanin: “Jo, nuk jam i kënaqur me mënyrën si Izraeli është sjellë, me Libanin dhe me Hezbollahun. Ata duhet të kishin qenë në gjendje ta përfundonin punën më shpejt. Kjo thjesht po zgjat pafund. Pra, kur më pyet për Bibin, kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme, por Izraeli do të ishte shkatërruar shumë kohë më parë po të mos isha përfshirë unë”.
Ai shtoi më tej se marrëveshja me Iranin e thotë qartë dhe pastër se Republika Islamike nuk duhet të ketë një armë bërthamore: “Kemi arritur marrëveshjen me Iranin e cila duhet të jetë e suksesshme. Tani duhet të kalojmë në fazën e dytë, çka besoj se do të jetë shumë e lehtë. Gjëja më e rëndësishme është se Irani nuk do të ketë një armë bërthamore. Dhe kjo thuhet fort dhe qartë: nuk do ta zhvillojnë, nuk do ta blejnë, nuk do të bëjnë asgjë të tillë”.
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi gjatë samitit se Britania e Madhe do të angazhohet plotësisht për të hapur Ngushticën e Hormuzit sa më shpejt që të jetë e mundur.
Macron gjtihashtu ka deklaruar më herët se dy vendet do të drejtojnë një mision, që synonin rikthimin e lundrimit të sigurtë në ngushticën jetike. (A2 Televizion)