Trump përmend fundosjen e Teheranit, Irani qëllon 3 anije në ngushticën e Hormuzit, nxjerr armën e fortë

Nga A2 CNN
22 Prill 2026, 14:48 | Bota

Të shtënat e para erdhën… Irani, përmes Gardës Revolucionare ka shënjestruar tri anije në Ngushticën e Hormuzit. Kështu raportojnë mediat në Teheran. Agjencia Fars, shkruan se një anije e quajtur Euphoria tani është e bllokuar në brigjet e Iranit, ndërsa shton se “anijet shkelëse” MSC Francesca dhe Epaminondas u “sekuestruan” duke u përpjekur të kalonin ngushticën. Sipas raportimeve, anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, që operuan me një varkë të vogël me armë, dhanë disa paralajmërime përpara se të qëllonin.

Incidentet, që nodhën pranë Omanit, janë sinjalet më të forta se Shtetet e Bashkuara dhe Irani po shkojnë drejt kthimit në luftë pas dështimit të bisedimeve në Islamabad. Presidenti amerikan, Donald Trump, zgjati armëpushimin deri në përfundimin e negociatave, ndërsa Pakistani pati një takim me Iranin pa praninë e Amerikës. Zyrtarët ushtarakë nga Teherani kërkojnë me ngulm heqjen e bllokadës për anijet e tyre që hyjnë dhe dalin nga Ngushtica e Hormuzit.

“Irani po shembet financiarisht! Ata duan që Ngushtica e Hormuzit të hapet menjëherë. Po humbasin para! Po humbasin 500 milionë dollarë në ditë. Ushtria dhe policia ankohen se nuk po paguhen”, tha Donald Trump.

Mahdi Mohammadi, këshilltari i kryetarit të parlamentit të Iranit, e konsideroi zgjatjen e pacaktuar të armëpushimit nga ana e Donald Trump si një dredhi për të fituar kohë për një sulm të papritur. Ai e quajti bllokadën amerikane “një agresion ushtarak të vazhdueshëm”.

“Në përgjigje të kërcënimeve të përsëritura të presidentit amerikan dhe komandantëve të ushtrisë agresive dhe terroriste të atij vendi, ne paralajmërojmë se forcat tona të fuqishme kanë qenë prej kohësh në gatishmëri maksimale dhe do ta mbajnë gishtin në këmbëz, në rast agresioni ose veprimi kundër Iranit”, tha një zëdhënës i Komandës Pasdaran të Gardës Revolucionare. “Në rast agresioni, forcat iraniane do të sulmojnë menjëherë objektivat e paracaktuara dhe do t'u mësojnë Shteteve të Bashkuara agresive dhe regjimit sionist që vret fëmijë një mësim tjetër, më rëndë se më pare”, shtoi zëdhënësi, sipas Tasnim.

Irani e ka bërë të qartë se nuk do të merret vesh me Shtetet e Bashkuara për programet e saj bërthamore dhe raketore, edhe nëse hiqet bllokada detare e Hormuzit. E ndërsa paqes nuk iu dha as edhe një shans i dytë, në Teheran kanë nisur që të dalin në shesh armët e fuqishme. Irani shfaqi raketën e tij balistike me rreze të gjatë veprimi Khorramshahr-4 në Sheshin e Revolucionit të kryeqytetit, njoftoi media shtetërore.

Pamjet treguan turma që valëvitnin flamuj në tubimin ku u ekspozua raketa. Khorramshahr-4 është një nga raketat balistike të përparuara të Iranit me rreze veprimi rreth 2 mijë kilometrash. Sipas raportimeve të medias, koka luftarake është e aftë të mbajë më shumë se një ton ngarkesë me shpërthim të lartë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos