Trump s’e mbyll dot luftën? Paqja në Ukrainë është muaj ose vite larg

Nga Rosalba Bejdo
15 Janar 2025, 12:04 | Bota

Teksa gjatë fushatës premtonte pa ju dridhur zëri se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë, tani që mungojnë vetëm pak ditë nga ardhja e tij në Shtëpinë e Bardhë, Trump dhe ekipi i tij vënë në dyshim një prej premtimeve kryesore të politikës së jashtme.

Këshilltarët e Trump pranojnë tani se lufta në Ukrainë mund të kërkojë muaj e madje edhe më gjatë për tu zgjidhur. Dy bashkëpunëtorë të presidentit të zgjedhur të cilët kanë biseduar me të lidhur me çështjen, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters se po shihnin për një afat disamujor për të zgjidhur konfliktin, duke e përshkruar premtimin për “fundin e luftës në ditën1” si një kombinim të rrëmujës së fushatës, mungesës së një vlerësimi të përshtatshëm  lidhur me kompleksitetin e konfliktit dhe kohës që do të duhej për të formuar stafin e ri tw administratës, transmeton A2 CNN.

Komentet përputhen me ato të të dërguarit të Trump për luftën Ukrainë-Rusi, gjeneralit Keith Kellogg. Ky I fundit tha një intervistë për Fox News se do të dëshironte të kishte një zgjidhje për luftën brenda 100 ditëve, pra përtej afatit origjinal të përcaktuar nga presidenti.  E megjithatë edhe ky afat i ri i zgjatur i Kellogg, është shumë optimist sipas John Herbst, një ish-ambasador amerikan në Ukrainë, i cili tani punon për “Think Tank-un” e Këshillit Atlanik në Uashington, raporton A2 CNN.

“Që kjo të funksionojë, Trump duhet të bindë presidentin Putin se për mospajtimin ka një çmim për t’u paguar”.

Edhe vetë Trump, që gjatë fushatës ka deklaruar me dhjetëra herë se do t’i jepte fund luftës që prej ditës së parë në detyrë, e ka ndryshuar gradualisht retorikën, duke thënë fillimisht se mund ta zgjidhte shumë shpejt konfliktin, e më pas thjesht se do ta zgjidhte atë pa caktuar ndonjë afat. Po ashtu, presidenti i zgjedhur ka deklaruar se mbyllja e luftës në Ukrainë do të ishte më e vështirë se sa arritja e një armëpushimi në Gaza, shkruan A2 CNN.

Rusia gjithashtu, ka përcjellë mesazhe të ndryshme për një ujdi të mundshme, duke e mirëpritur ftesën për bisedime me Trump nga njëra anë, por duke hedhur poshtë si të papranueshme disa idetë propozuara nga këshilltarët e tij, nga ana tjetër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos