Trump shton presionin, Hamasi liron një peng izraelito-amerikan, 35 mendohen të vdekur

Nga Erjon Dervishi
14 Mars 2025, 15:35 | Bota

Hamasi ka bërë me dije se dëshiron të lirojë nga paraburgimi një shtetas të dyfishtë izraelito-amerikan. Organizata islamike tha se kishte rënë dakord për një propozim përkatës nga ndërmjetësit. Ushtari amerikan quhet Edan Aleksandër.

Përveç pengut amerikan, do të dorëzohen edhe katër pengje të vdekur, të cilët po ashtu thuhet se janë me dy shtetësi. Organizata terroriste nuk bëri të ditur se çfarë kombësish kishin katër personat e vdekur. Ishte gjithashtu e paqartë se kur do të bëhej lirimi dhe dorëzimi i trupave.

Sipas informacioneve izraelite, islamikët në Rripin e Gazës kanë ende në zotërim 24 pengje dhe 35 trupa të të rrëmbyerve. Gjithsej pesë prej tyre kanë gjithashtu shtetësi amerikane – vetëm njëri prej tyre, një i ri, është ende gjallë, sipas burimeve izraelite, shkruan A2 CNN.

Gjatë fazës së parë të armëpushimit, e cila përfundoi dy javë më parë, Hamasi liroi 25 pengje të gjallë dhe eshtrat e tetë pengjeve të vrarë në këmbim të afro 2000 të burgosurve palestinezë në paraburgimin izraelit. Negociatat për një fazë të dytë të mundshme të armëpushimit po zhvillohen aktualisht në Doha.

Luftimet në Gaza janë ndalur që nga 19 janari sipas fazës së parë të marrëveshjes trefazore të armëpushimit. Por kur faza e parë përfundoi më 2 mars, palët nuk arritën të bien dakord për fillimin e fazës së dytë. Izraeli ofroi zgjatjen e fazës së parë, ndërsa Hamasi tha se do të rifillonte lirimin e pengjeve vetëm në fazën e dytë, gjatë së cilës Izraelit i kërkohet të diskutojë tërheqjen e trupave dhe përfundimin e përhershëm të luftës, kërkesa kryesore të Hamasit.

Izraeli bllokoi hyrjen e të gjithë kamionëve me furnizime në Gaza më 2 mars, ndërsa përplasja u përshkallëzua, me Hamasin që u bëri thirrje ndërmjetësuesve egjiptianë dhe Katar për të ndërhyrë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos