SHBA-të kanë njoftuar sanksione të reja që synojnë dy kompanitë më të mëdha të naftës në Rusi, në një përpjekje për të ushtruar presion mbi Moskën për të negociuar një marrëveshje paqeje në Ukrainë.
Sipas mediave të huaja, njoftimi erdhi një ditë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se një takim i planifikuar me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Budapest do të shtyhej për një kohë të pacaktuar.
“Çdo herë që flas me Vladimirin, zhvilloj biseda të mira dhe pastaj ato nuk çojnë askund”, tha mes të tjerash Trump, shkruan A2 CNN.
Ndërsa ndikimi ekonomik për Rusinë ka të ngjarë të jetë minimal, ai përfaqëson një ndryshim të madh në politikën e jashtme të Trump, i cili më parë kishte thënë se nuk do të vendoste sanksione derisa vendet evropiane të ndalonin blerjen e naftës ruse. Kremlini tha se Rusia ishte "imune" ndaj sanksioneve.
Kjo lëvizje erdhi vetëm disa ditë pasi Mbretëria e Bashkuar vendosi sanksione ndaj të njëjtave dy kompanive ruse të naftës. Vendet e Bashkimit Evropian kanë vendosur gjithashtu sanksionet e tyre të reja që ndalojnë importin e gazit natyror të lëngshëm rus nga janari i vitit 2027.
Trump kishte kërcënuar vazhdimisht me masa më të ashpra të SHBA-së kundër Moskës, por i ka shmangur ato deri më tani me shpresën e ndërmjetësimit të një marrëveshjeje paqeje në pushtimin tre-vjeçar e gjysmë, shkruan A2 CNN.
Administrata e tij është përpjekur ta paraqesë SHBA-në si një ndërmjetës disi neutral midis dy kombeve ndërluftuese, pas viteve të mbështetjes së plotë për Ukrainën nga paraardhësi i tij, Joe Biden.
Por presidenti amerikan është bërë gjithnjë e më i acaruar me Kremlinin, për shkak të dështimit të tij për të ecur përpara me negociatat. (A2 Televizion)