Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në tubim të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga aktet e dhunës. “Të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmojnë punonjësit e Policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private. E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj”, tha policia.
Në njoftimin e publikuar ndërkohë që po protestohet në Rrugën e Durrësit, policia thotë se dhuna nuk do të tolerohet.
“Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari, ushtrimin e të drejtës së tubimit paqësor, mbrojtjen e jetës, pronës dhe institucioneve. Apelojmë për ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale përpara ligjit. Policia e Shtetit do të vijojë të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet”. (A2 Televizion)