Shtetet anëtare të BE u dakordësuan mbi një paketë të 19 sanksioneve kundër Rusisë duke theksuar vendosmërinë e bllokut për të shtuar presionin ndaj Moskës. Masat e reja i shtohen një liste të gjatë kufizimesh që shënjestrojnë interesat ruse rreth Europës.
Në një samit të rëndësishëm që po mbahet sot në Bruksel udhëheqësit do të fokusohen tek gjetja e konsensusit mbi mënyrën se si do të përdorin asetet e ngrira të Moskës në Europë për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës. Siç thuhet Bashkimi Europian do të dakordësohet në parim ti sigurojë Kievit financimet e nevojshme përgjatë dy viteve të ardhshme pavarësisht kërcënimit belg për të bllokuar një plan për përdorimin e aseteve ruse.
I pranishëm në samit është edhe presidenti Zelenski i cili ka mirëpritur si sanksionet e shteteve të bashkuara kundër Rusisë ashtu edhe ato të BE, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë Kremlini paralajmëroi se do të japë një përgjigje të dhimbshme nëse Europa përdor asetet e ngrira të Rusisë ndërsa i cilësoi si kundërproduktive, sanksionet e reja amerikane.
“Është e qartë se Bashkimi Evropian po demonstron edhe një herë një qasje cinike ndaj interpretimit të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe normave të tjera të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë dispozitat mbi imunitetin sovran dhe paprekshmërinë e aseteve të bankës qendrore. Fondet ruse u depozituan në Euroclear në kushte të caktuara, të cilat më pas u ndryshuan në mënyrë të njëanshme nga Brukseli me qëllim përvetësimin e rezervave tona të arit dhe të këmbimit valutor”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova.
“Ky është mashtrim i plotë; është grabitje. Çdo iniciativë konfiskuese nga Brukseli do të rezultojë në mënyrë të pashmangshme në një përgjigje të dhimbshme. Ne do të veprojmë në përputhje të plotë me parimin e reciprocitetit në marrëdhëniet ndërkombëtare, bazuar në interesat tona dhe nevojën për të kompensuar Rusinë për dëmin e shkaktuar”. (A2 Televizion)
