Në këtë fushë të madhe me tulipanë rozë dhe të kuq, duket sikur nuk ka asnjë problem, por kur i shikon nga afër, këto bimë janë duke vuajtur. Ndryshimet klimatike, janë kthyer në armikun më të madh të këtij sektori.
Që prej 1940, në këto fusha kultivohet tulipani, por asnjëherë, fermerët nuk janë hasur me këto probleme si kohët e fundit.
Arjan Smit merret prej afro 30 vitesh me tulipanët dhe këtë vit e konsideron si më të vështirin.
Temperaturat e larta gjatë pranverës dhe verës, sjellin më pas një dimër me shumë reshje dhe kalimi nga një ekstrem në tjetrin, i dëmton këto bimë.
"Dimrin e kaluar ishte shumë i lagësht. Në total, në sektorin tonë ne humbasim rreth tetë deri në nëntë për qind të tulipanëve në fusha, ata dëmtohen nga shiu”, tha ai.
Thatësira e tejzgjatur ka detyruar fermerët që t’i ujisin tulipanët çdo javë, çka më pas sjellë edhe shtim të shpenzimeve.
Por për ata që merren me tulipanët, ndryshimet klimatike nuk janë i vetmi shqetësim, edhe Brexit e ka goditur shumë këtë sektor.
Në shumë raste, kamionët që transportojnë tulipanët, qëndrojnë në doganë për disa ditë, duke i dëmtuar këto lule dhe në Angli ato nuk shkojnë të freskëta.
Por pavarësisht problemeve që vijnë nga dora e njeriut, apo nga natyra, Arjan Smit gjen kënaqësinë te tulipanët.
Kur kjo lule që simbolizon dashurinë pa kushte, rilindjen dhe faljen, gëzon qytetarët që po kalojnë ditë të vështira për shkak të luftës, atëherë fermerët thonë se çdo sakrificë për kultivimin e tyre ia ka vlejtur. (A2 Televizion)