Turma "kap me gurë" kandidatin për president në Bolivi

Nga A2 CNN
18 Gusht 2025, 07:37 | Bota

Turma "kap me gurë" kandidatin për president në Bolivi

Në Bolivi janë mbyllur qendrat e votimit për zgjedhjet presidenciale dhe ka nisur procesi i numërimit të votave. Ndërkohë, zgjedhjet janë shoqëruar me tensione në disa zona të vendit.

Një incident i rëndë ka ndodhur në bastionin politik dhe sindikal të ish-presidentit Evo Morales, ku presidenti i Senatit dhe njëkohësisht kandidati për president, Andrónico Rodríguez, është përballur me reagime të dhunshme nga votuesit.

Pasi kreu votimin dhe u ndal për të folur me gazetarët, ai është goditur me gurë dhe është fishkëllyer nga një grup personash të pranishëm në qendrën e votimit.

Rodríguez, dikur i afërt me Moralesin, është cilësuar nga mbështetësit e ish-presidentit si "tradhtar", për shkak të largimit të tij nga linja politike e Moralesit dhe vendimit për të kandiduar në këto zgjedhje në mënyrë të pavarur.

Incidenti vjen në një moment delikat për klimën politike në vend, ku ndarjet e brendshme në radhët e majta po bëhen gjithnjë e më të thella.

Autoritetet zgjedhore dhe policia nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos