
Amerika dhe Ukraina konfirmuan se bisedimet e paqes të fundjavës në Gjenevë ishin “shumë produktive”. Delegacionet nga të dyja palët u takuan në Zvicër për planin me 28 pika, ndërsa raportohet se ka pasur dhe disa modifikime nga drafti fillestar.
Deklarata e përbashkët thotë se ka pasur “përparim domethënës drejt përafrimit të qëndrimeve dhe identifikimit të hapave të qartë të mëtejshëm”. Udhëheqësit europianë e kritikuan planin me 28 pika kur u publikua javën e kaluar, duke thënë se ishte shumë i favorshëm për Rusinë.
Një raport i Shtëpisë së Bardhë mbi bisedimet e Gjenevës thotë se “bazuar në rishikimet dhe sqarimet e paraqitura”, ukrainasit “besojnë se drafti aktual pasqyron interesat e tyre kombëtare”.
Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhdojnë, me të paktën katër persona të vrarë nga një sulm me dron në Kharkiv. Dhjetra të tjerë mbetën të plagosur.
Kjo ishte kundërpërgjigja e Moskës ndaj bisedimeve të Gjenevës, ndërsa sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, ka njoftuar se plani duhet të marrë dritën e gjelbër nga të gjitha palët, përfshirë dhe Rusinë. (A2 Televizion)
