Dinamo përballet sot, në orën 18:00, me letonezët e Auda. Dueli, i vlefshëm për turin e tretë kualifikues të Conference League, i gjen kryeqytetasit me besimin e plotë se do t’ia dalin. I vetmi që ka shqetësuar teknikun Ilir Daja është Fabian Përndreca. Talenti 19-vjeçar ka pësuar një tërheqje dhe pritet të mungojë ndaj Audas, për të mos rrezikuar një dëmtim më të rëndë.
Pjesa tjetër është gati. Atmosfera është pozitive dhe, me një fitore sot, blutë e kryeqytetit mund të hedhin një hap të rëndësishëm drejt fazës play-off. Dueli luhet në orën 18:00, në Riga të Letonisë.
Në prag të ndeshjes, në konferencën për shtyp ishin trajneri Ilir Daja dhe futbollisti Lorenco Vila. Tekniku 59-vjeçar u shpreh se Conference League është një market i madh për të prezantuar sa më mirë veten, ndërsa kualifikimi është një ëndërr jo e pamundur.
“E kemi analizuar kundërshtarin dhe shanset janë që kualifikimi të vendoset pas 180 minutash. Për ne ka shumë rëndësi se si do të prezantohemi në 90-minutëshin e parë. Kemi pasur pak ditë në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen, por këto ditë i kemi shfrytëzuar në maksimum. Duke pasur grupin të plotësuar dhe duke qenë se është ndeshja jonë e pestë zyrtare për këtë vit, besoj që do ta kemi të vështirë, por jo të pamundur. Ecuria e deritanishme është e rëndësishme jo vetëm për buxhetin e klubit. Ne kemi lojtarë të rinj në skuadër dhe këto eliminatore janë një market i madh për të prezantuar veten dhe që t’i sjellin klubit më shumë fitime”, tha Daja.
Lojtari Lorenco Vila theksoi se është i lumtur për këtë arritje të skuadrës, ndërsa shtoi se kërkon që kjo ëndërr të zgjasë akoma.
“Kam shënuar dy gola në dy raundet e deritanishme të Conference League dhe jam në formë të mirë. Jam shumë i lumtur për shokët e skuadrës, stafin dhe klubin për këto dy kualifikime që kemi arritur në Europë. Shpresoj që, personalisht dhe si skuadër, të tregojmë më të mirën edhe në ndeshjen e nesërme, që është shumë e vështirë dhe kërkon impenjim dhe përqendrim maksimal. E vlerësojmë kundërshtarin, por kemi besim se do të bëjmë diçka pozitive edhe këtë radhë”, tha Vila. (A2 Televizion)