Dhjetë ditë pas arrestimit, Ministria e Drejtësisë u ka përcjellë zyrtarisht autoriteteve franceze dosjen për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj.
Bashkëngjitur është paraqitur edhe vendimi i Gjykatës së Posaçme për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, si person që dyshohet se ka kryer shtatë vepra penale.
Ermal Beqiraj u arrestua disa ditë më parë në Francë, pasi u kap duke fluturuar me një avion të lehtë privat mbi një central bërthamor.
Në të njëjtin dokumentacion, SPAK ka kërkuar edhe sekuestrimin e disa pasurive të biznesmenit, që dyshohen se kanë origjinë kriminale dhe ndodhen në Francë. Bëhet fjalë për llogari bankare me një vlerë totale prej mbi 2 milionë eurosh, dy apartamente, një kështjellë me vlerë rreth 2.6 milionë euro, mjete motorike, si dhe pasuri të tjera.
Ermal Beqiraj kërkohet nga SPAK në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderat e AKSHI-t. Ndaj tij janë ngritur akuzat për veprat penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, si “Pastrim parash” dhe “Korrupsion”.
(A2 Televizion)