Një aeroplan luftarak ukrainas ka goditur për herë të parë një objektiv brenda Rusisë. Lajmi është bërë i ditur nga një burim ushtarak për “Sky News”. Burimi bën me dije se një bazë komanduese ruse u godit në zonën e Belgorodit, në Rusinë perëndimore.
Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se nuk ishte e qartë se çfarë lloj municioni u përdor në sulm, duke përfshirë nëse kishte qenë apo jo një armë perëndimore. Shtetet e Bashkuara dhe Franca kohët e fundit kanë deklaruar se forcat e armatosura ukrainase lejohen të përdorin armët e tyre për të goditur objektivat ushtarake brenda Rusisë, nga ku forcat ruse po nisin sulmet kundër Ukrainës.
Sakaq, Moska ka kërcënuar vendet perëndimore se mund të godasë bazat ajrore të vendeve të NATO-s nga të cilat avionët F-16 të furnizuar në Ukrainë mund të ngrihen për të kryer inkursione brenda konfliktit. Paralajmërimi vjen nga deputeti rus Andrei Kartapolo.
Një numër i caktuar i bombarudesve F-16 që Ukraina do të marrë nga aleatët perëndimorë do të ruhen në bazat ajrore jashtë vendit, ka bërë të ditur një oficer i lartë i Komandës së Forcave Ajrore, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë. Disa vende të NATO-s, Danimarka, Holanda, Belgjika dhe Norvegjia, janë zotuar të furnizojnë Ukrainën me dhjetëra bombardues F-16 të prodhuar nga SHBA dhe grupi i parë pritet të dorëzohet nga Danimarka këtë verë.
Nga ana e saj, Ukraina ka rritur nivelin e alarmit, për shkak se Rusia ka filluar vendosjen e nëndetëseve për të patrulluar në Detin e Zi pasi dhjetëra anije në flotën e saj u goditën nga Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës. Kështu deklaroi kreu i Qendrës së Komunikimeve Strategjike të Forcave të Mbrojtjes Jugore të Ukrainës.
"Në Detin e Zi, ata tani po kryejnë lëvizje me nëndetëset. Ata kanë adoptuar një praktikë ku këto nëndetëse ndërrohen çdo mëngjes", tha ushtaraku i lartë ukrainas.
Që nga fillimi i konfliktit, Marina Ruse ka humbur 56 anije luftarake, duke përfshirë anijet e mëdha Moskva, Minsk, Yamal dhe të tjera. (A2 Televizion)