Vjen ndryshimi i madh mes Europës dhe Rusisë. Pas thuajse 4 vitesh përplasjesh, kërcënimesh dhe sanksionesh, palët shprehen të gatshme për të rikthyer kontaktet. Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, tha se “Kremlini ka marrë sinjale nga Roma, Parisi dhe Berlini në lidhje me nevojën për dialog me Rusinë dhe beson se kjo përfaqëson një zhvillim pozitiv në qëndrimet e vendeve perëndimore.
“Diskutimi i çështjeve që lidhen me zgjidhjen në Ukrainë është gjithashtu i pamundur pa adresuar sigurinë europiane në një kontekst më të gjerë. Sidoqoftë, garancitë e sigurisë do të përfshijnë këtë çështje. Dhe për këtë, sigurisht, kërkohet dialog. Ne kemi një dialog të tillë me amerikanët, por jo me europianët”, tha zëdhënësi i Kremlinit, shkruan A2 CNN.
Deklarata vjen pasi Putin u tha ambasadorëve nga 34 vende të ndryshme se “marrëdhëniet e Rusisë me shtetet europiane, kanë rrënjë historike”, por aktualisht “lënë shumë për të dëshiruar”.
Peskov bëri të ditur se Kremlini vlerëson përpjekjet e Uashingtonit për ta ngritur krizën ukrainase në një nivel politik dhe diplomatik dhe mbetet e hapur për negociata për këtë çështje, duke sqaruar se ende nuk është caktuar një datë për vizitën e të dërguarve amerikanë për paqe, raporton A2 CNN.
Ndërkohë, Komisioni Europian po zhvillon propozime për të ndryshuar sistemin e anëtarësimit në bllok në një model me dy nivele, i cili mund të përshpejtojë anëtarësimin e Ukrainës në BE sipas çdo marrëveshjeje paqeje që synon t'i japë fund pushtimit rus, raporton Financial Times, duke cituar shtatë zyrtarë pranë bisedimeve.
Plani, megjithëse ende paraprak, tashmë po ngre alarm në kryeqytetet e BE-së, të shqetësuar për një qasje “të lehtë zgjerimi” me implikime të gjera për Unionin. Një referencë për anëtarësimin e Kievit në BE në vitin 2027 është përfshirë në draftet e një plani paqeje me 20 pika të udhëhequr nga SHBA-të që është aktualisht në negociata, pavarësisht se zyrtarët e BE-së vlerësojnë se vendi mund të ketë nevojë për një dekadë reformash për të përmbushur kriteret e rrepta të anëtarësimit në BE.
Por zyrtarët e Komisionit besojnë se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të jetë në gjendje të pranojë aspekte të tjera të një marrëveshjeje të mundshme paqeje, siç është transferimi i territorit te Rusia, vetëm nëse ai mund ta paraqesë anëtarësimin në BE si një rezultat pozitiv. (A2 Televizion)