Nuk ka anëtarësim për Ukrainën në NATO nëse Donald Trump zgjidhet President i Shteteve të Bashkuara. Kështu kanë bërë të ditur këshilltarët politik të Donald Trump për prestigjiozen, Financial Times.
Nëse Trump kthehet në Zyrën Ovale, këmbëngulin ata, ai do të vepronte me shpejtësi marramendëse për t'i dhënë fund luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
Gjatë gjithë kohës, ai do të kërcënonte me tarifa gjithnjë e më të larta për t'i shtyrë aleatët e Amerikës të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen dhe të barazojnë marrëdhëniet e tyre tregtare me SHBA-në, duke ruajtur gjithashtu presionin ndaj Kinës, shkruan A2.
E përditshmja Financial Times, shkruan se, sipas ekipit të ish-presidentit, konflikti mund të zgjidhet duke krijuar zona autonome dhe zona të çmilitarizuara në të dy anët e kufirit dhe pa anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
Sipas revistës britanike, vendeve evropiane do t'u kërkohet të marrin rolin e garantuesve të procesit të paqes, ndërsa pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s do të jetë minimale, raporton A2. Këshilltarët e Trump, theksojnë gjithashtu se nuk i takon SHBA-së të marrin përsipër barrën financiare të ruajtjes së paqes dhe besojnë se kjo përgjegjësi bie mbi vendet evropiane.
Programi i Trump përjashton gjithashtu pjesëmarrjen në çdo operacion paqeruajtës.
Për Ukrainën një largim i SHBA-së nga politika tradicionale do të ishte fundi i pavarësisë së saj. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pranoi se situata do të bëhej shumë e vështirë për Kievin nëse politika amerikane ndaj vendit ndryshon dhe Uashingtoni thotë se nuk e mbështet më Ukrainën në mbrojtjen e territorit të saj.
"Kjo do të ndodhë nëse politika ndryshon plotësisht. Atëherë do të mendojmë se çfarë të bëjmë, definitivisht jo tani. Shumë gjëra varen nga politika amerikane por jo gjithçka”, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sakaq, Presidenti Vladimir Putin ka bërë të ditur më herë se ministria e mbrojtjes e Rusisë po punonte në mënyra të ndryshme për t'u përgjigjur nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO ndihmojnë Ukrainën të godasë thellë Rusinë me raketa perëndimore me rreze të gjatë. (A2 Televizion)