“Po rrezikohet Europa dhe Paqësori”. Rutte konfirmon praninë e ushtarëve të Penianit në Rusi

Nga Erjon Dervishi
28 Tetor 2024, 15:11 | Bota

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, konfirmoi faktin se trupat e Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi dhe se njësitë ushtarake të Koresë së Veriut janë vendosur në rajonin e Kurskut, shkruan A2 CNN. Në një deklaratë nga Brukseli, Rutte tha se dislokimi i Koresë së Veriut përfaqësonte "një përshkallëzim të rëndësishëm" të përfshirjes së Phenianit në "luftën e paligjshme të Rusisë" në Ukrainë, një shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një "zgjerim të rrezikshëm" të luftës.

“Sot, mund të konfirmoj se trupat e Koresë së Veriut janë dërguar në Rusi dhe se njësitë ushtarake të Koresë së Veriut janë vendosur në rajonin e Kurskut. Vendosja e trupave të Koresë së Veriut përfaqëson një përshkallëzim të rëndësishëm në përfshirjen e vazhdueshme të Koresë së Veriut në luftën e paligjshme të Rusisë. Një tjetër shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dhe një zgjerim i rrezikshëm i luftës së Rusisë. NATO i bën thirrje Rusisë dhe Phenianit që të ndërpresin menjëherë këto veprime. Thellimi i bashkëpunimit ushtarak midis Rusisë dhe Koresë së Veriut është një kërcënim për sigurinë në Indo-Paqësor dhe në rajonin Euro-Atlantik. Ai minon paqen në Gadishullin Korean dhe nxit luftën ruse kundër Ukrainës”, tha Rutte.

Shtimi i mijëra ushtarëve të Koresë së Veriut në konfliktin më të madh në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore do të rrisë edhe më shumë presionin në ushtrinë e Ukrainës, si dhe rrezikon rritjen e tensioneve gjeopolitike në Gadishullin Korean, vlerësojnë zyrtarë perëndimorë. Presidenti rus, Vladimir Putin, synon vazhdimisht të reformojë rendin global. Ai ka bërë përpjekje për të ndërtuar një kundërpeshë ndaj ndikimit të Perëndimit. Javën e kaluar, përmes organizimit të samitit BRICS, në të cilin kanë marrë pjesë liderë të Kinës dhe Indisë. Disa ditë para deklaratës së Zelenskyt, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut patën thënë se kanë të dhëna që ushtarë të Koresë së Veriut janë në Rusi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos