Për herë të parë që kur NATO dha dritën jeshile, forcat ukrainase njoftuan se kanë goditur me sukses një sistem raketor S-300 brenda territorit të Rusisë, duke përdorur armatime të siguruara nga perëndimi. Ishte ministrja Iryna Vereshchuk e cila e bëri të ditur diçka të tillë përmes një postimi në Facebook, duke publikuar edhe një foto që sipas saj tregon sulmin.
“Digjet shumë bukur. Është një sistem raketor rus, S-300, brenda territorit të Rusisë. Hera e parë që ndërmarrim një sulm të tillë, pas lejes për të përdorur armatime perëndimore kundër territorit armik”.
Zhvillimi vjen pak dit pasi presidenti amerikan Joe Biden i dha leje Ukrainës për të ndërmarrë sulme të kufizuara me armatime amerikane në territorin rus pranë Harkivit, pasi një sërë shtetesh europiane hoqën kufizimet e ngjashme. Armët që Kievi përdori në sulmin e fundit, besohet të jenë amerikane edhe pse kjo nuk është konfirmuar.
Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski vlerësoi vendimin e Biden si një hap përpara, por analistët kanë ngritur pikëpyetje nëse liritë e reja do të rrisin aftësinë e Kievit për të sprapsur pushtuesit rusë. Pritshmëritë nuk janë shumë të larta, pjesërisht edhe për faktin se Uashingtoni heziton të lejojë shtetin në luftë të përdorë municionet më të jashtëzakonshme që i ka dhënë për t’u mbrojtur nga Moska: raketa me rreze të gjatë, që mund të shënjestrojnë objektivë deri në 300 km largësi.
Kievi mund të mbështetet te kraketat me rreze të shkurtër që kanë një rreze prej 70 km. Moska ka reaguar ashpër pas vendimit të shteteve perëndimore, dhe të hënën paralajmëroi SHBA me pasoja fatale nëse ai do të materializohej.
Më herët autoritetet ruse thanë se kishin interceptuar 20 dronë ukrainas në rajonin jugor të Kursk, nga rrëzimi i të cilëve siç u tha, ishin dëmtuar një sërë banesash. Në Ukrainë, të paktën 6 persona përfshirë një bebe 1 muajshe, u plagosën pas një sulmi rus në Dnipro. (A2 Televizion)