
Autoritetet ukrainase akuzojnë Rusinë se ka shënjestruar qëllimisht operacionet e shpëtimit dhe rikuperimit të viktimave, pas një sulmi të dyfishtë në fshatin Komyshuvakha, pranë vijës së frontit, ku humbën jetën të paktën 72 persona.
Sipas autoriteteve ukrainase, më 2 nëntor, forcat ruse kryen dy sulme radhazi ndaj një qendre të ndihmës humanitare. Në sulmin e dytë dyshohet se u përdor një bombë ajrore me peshë 3 mijë kilogramë, duke goditur edhe strehën ku ishin larguar banorët për t'u mbrojtur.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës bëri të ditur se gjatë operacioneve të shpëtimit janë regjistruar disa goditje të tjera. Si pasojë, janë plagosur tre efektivë policie dhe katër punonjës të emergjencave, ndërsa janë dëmtuar pesë automjete. Të lënduar kanë mbetur edhe dy qen të kërkim-shpëtimit.
Pamjet e verifikuara nga BBC tregojnë dëmtime në automjetet e emergjencës dhe pajisjet e përdorura për nxjerrjen e viktimave nga rrënojat. Në komunikimet radio të policisë dëgjohen paralajmërime të përsëritura për praninë e dronëve dhe rrezikun e një tjetër sulmi.
Autoritetet ukrainase pretendojnë se infrastruktura e fshatit dhe banorët e mbetur aty vijojnë të jenë objektiv i sulmeve me dronë dhe bomba. Sipas hetuesve ukrainas, ende ka trupa që nuk janë nxjerrë nga rrënojat.
BBC Verify i është drejtuar Ministrisë ruse të Mbrojtjes për një koment mbi sulmet në Komyshuvakha, por nuk ka marrë përgjigje. Në një deklaratë të përgjithshme, Moska njoftoi se kishte goditur infrastrukturën energjetike dhe të transportit të përdorur nga ushtria ukrainase.
Fshati ndodhet pranë një rruge të rëndësishme për lëvizjen e trupave, furnizimeve dhe evakuimin e forcave ukrainase. (A2 Televizion)