Ukraina thotë se Rusia kreu sulmin më të madh të luftës me dronë e me raketa

Nga A2 CNN
9 Korrik 2025, 10:12 | Bota

Ukraina thotë se Rusia kreu sulmin më të madh të luftës

Kievi tha të mërkurën se Rusia kreu sulmin më të madh me raketa dhe me dronë gjatë pushtimit mbi trevjeçar të Ukrainës, duke goditur kryesisht perëndimin e saj.

Forca ajrore e Ukrainës tha se Rusia sulmoi me 728 dronë dhe me 13 raketa, duke shtuar se sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase penguan 711 dronë, dhe se të paktën shtatë raketa u shkatërruan, raporton AFP.

“Ky është sulm tregues, i cili ndodhi pikërisht në kohën kur po bëhen aq shumë përpjeke për të arritur paqe, për të arritur armëpushim. Por, vetëm Rusia po vazhdon t’i minojë ato”, shkroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në mediat sociale.

Ai u bëri thirrje aleatëve që të ashpërsojnë sanksionet ndaj Rusisë, veçanërisht duke goditur sektorin e saj të energjisë, një rrjedhë e rëndësishme të ardhurash për arkën e luftës të Rusisë.

“Partnerët tanë dinë se si të zbatojnë trysni në një mënyrë që do ta detyrojë Rusinë të mendojë për përfundimin e luftës, e jo për kryerjen e sulmeve të reja”, shtoi Zelensky.

Prefekti i qytetit perëndimor Luck, Igor Polishchuk, tha se në një “ndërmarrje” shpërthyen zjarre, dhe se askush nuk është raportuar të jetë vrarë apo plagosur.

Sulmi i fundit ia kaloi rekordit të mëparshëm rus prej 550 dronësh dhe raketash, të lëshuara më herët këtë muaj.

Ai ndodhi pasi Shtetet e Bashkuara ndryshuan qëndrim sa i përket reduktimit të furnizimit të Ukrainës me armë.

“Rusia e kreu këtë sulm pasi SHBA-ja deklaroi publikisht se do të na furnizojë me armë”, tha shefi i stafit të presidentit ukrainas, Andriy Yermak, në mediat sociale./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos