Avancimi i ushtrisë së Izraelit në terren ka nxitur një eksod masiv të njerëzve nga Gaza. Organizata e Kombeve të Bashkuara vlerëson se të paktën 150 mijë palestinezë janë larguar nga zona në qendrën e enklavës.
Dëshmitarë dhe zyrtarë të krahut ushtarak të Hamas raportojnë që tanket e Izraelit kanë arritur në dalje të kampit Bureij. Ushtria e Tel Avivit kohët e fundit zgjeroi ofensivën tokësore, ndërsa në bombardimet e fundit ka vrarë mbi 35 palestinezë përreth Gazës.
Të paktën 20 viktima, pjesa më e madhe gra dhe fëmijë, janë raportuar në një sulm ajror pranë spitalit të Kuvajtit në Rafah, pranë kufirit me Egjiptin. Sakaq, një delegacion i Hamas ka mbërritur në Kajro për të shqyrtuar planin e paqes së Egjiptit me 3 faza.
Konflikti i përgjakshëm u ka marrë jetën deri tani 1200 izraelitëve dhe mbi 21300 palestinezëve. Ushtria e Tel Avivit po shtyn gjithnjë e më shumë për largimin e palestinezëve nga Rripi i Gazës, kryesisht nga veriu dhe qendra për në jug. Por OKB paralajmëron se pjesa jugore është e mbipopulluar dhe njerëzit nuk kanë ku të shkojnë apo strehohen. Izraeli nuk po kursen asgjë në luftë dhe akuzohet se ka qëlluar në drejtim të një autokolone me ndihma humanitare ndërkombëtare.
Pretendimi është ngritur nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, që saktëson se nga sulmi nuk janë shënuar të lënduar. Izraeli nuk po ndalon së shënjestruari Sirinë, me një sulm të ri të raportuar në afërsi të Damaskut. (A2 Televizion)