Forcat Mbrojtëse të Izraelit shkatërruan dhjetëra mijëra artikuj me ndihmë humanitare, duke përfshirë sasi të mëdha ushqimesh të destinuara për banorët e Gazës, të cilat u prishën dhe skaduan pasi u lanë në pritje për shumë javë në anën palestineze të pikës kufitare Kerem Shalom. Kjo është bërë e ditur nga transmetuesi izraelit Kan, i cili citon burime ushtarake, raporton A2 CNN.
Sipas burimeve, sasia e furnizimeve të shkatërruara vlerësohet në mbi një mijë kamionë.
"Ne groposëm gjithçka dhe madje dogjëm disa. Edhe sot, ka mijëra pako që presin në diell, dhe nëse ato nuk transferohen në Gaza, ne do të detyrohemi t'i shkatërrojmë”, tha një burim.
Lajmi për shkatërrimin e ndihmave vjen ndërsa kriza humanitare në Gaza, për shkak të mungesës së ushqimit dhe nevojave themelore, përkeqësohet çdo ditë. Burimi i cituar nga Kan ia atribuoi shkatërrimin një problemi në mekanizmin e shpërndarjes.
"Mekanizmi thjesht nuk funksionon", tha ai, duke argumentuar se ende nuk është rregulluar plotësisht. "Kamionët po ngecin" dhe "as koordinimi nuk po funksionon". (A2 Televizion)