Ushtria ruse pushtoi sheshin e kuq në Moskë, teksa vendi shënon 80-vjetorin e fitores së bashkimit sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Parada madhështore ushtarake u mbajt nën masa të rrepta sigurie në praninë e presidentit Vladimir Putin dhe rreth 27 liderëve botërorë, përfshirë presidentin kinez Shi Xhinpin, ata brazilian Lula da Silva dhe venezuelian Nikolas Maduro. Teksa ju drejtua ushtrisë, veteranëve dhe të pranishmëve të tjerë, Putin kujtoi mësimet e nxjerra nga lufta e dytë botërore dhe deklaroi se e vërteta dhe drejtësia ishin në anën e tyre.
Sipas Putinit e gjithë Rusia mbështeste luftën në Ukrainë, të cilën vazhdon të quaj operacion special ushtarak edhe në vitin e saj të 4-rt.
“Rusia ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një mur i pathyeshëm kundër nazizmit, rusofobisë dhe antisemitizmit. Ne do të luftojmë kundër mizorive të kryera nga ata që mbështesin këto ide agresive dhe shkatërruese. E vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë. I gjithë vendi, shoqëria dhe populli ynë mbështesin pjesëmarrësit e Operacionit Special Ushtarak. Jemi krenarë për guximin dhe vendosmërinë e tyre, fuqinë e shpirtit që gjithmonë na ka sjellë vetëm fitore”, u shpreh Putin.
Një armëpushim i njëanshëm treditor u njoftua nga Rusia me rastin e ceremonive të ditës së fitores, të cilin Ukraina e ka refuzuar, duke quajtur shfaqje teatrale. Në ditët që paraprinë armëpushimin e propozuar, Moska dhe Kievi shkëmbyen një sërë sulmesh që detyruan Rusinë të anulojë fluturime duke lënë në tokë mbi 60 mijë pasagjerë. Para fjalimit të Putinit dhe mbajtjes së 1 minutë heshtjeje, komandanti I trupave tokësore, Oleg Salyukov, udhëhoqi11 mijë trupat në sheshin e kuq ku u inspektuan nga ministri i Mbrojtjes Andrei Belousov.
Pjesë e marshimit ishin edhe 1500 forca ushtarake që kanë luftuar në Ukrainë e po ashtu trupa kineze. Ne parade u ekspozuan edhe disa prej armatimeve më të fundit të Moskës, përfshirë edhe dronë. Mes të ftuarve në paradë janë edhe liderë europianë, si Aleksander Vuçiç i Serbisë dhe kryeministri sllovak Robert Fico, i vetmi udhëheqës i BE-së që udhëtoi në Moskë.
Si Vuçiç ashtu edhe Fico u paralajmëruan nga krerët e bllokut të mos merrnin pjesë në paradën e Rusisë e cila vijon luftën në Ukrainën fqinje. Por pavarësisht presioneve ata zgjodhën të ishin krah Putinit në Ditën e tij të rëndësishme.
Për Putinin, arritja më e madhe është prania e presidentit kinez Shi Jinping me të cilin zhvilloi dy raunde bisedimesh në prag të paradës. (A2 Televizion)