
Irani nisi sulme të reja kundër vendeve të Gjirit. Sirenat e raketave u dëgjuan në orët e para të mëngjesit në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein. Garda Revolucionare e Iranit njoftoi më pas se kishte " goditur " bazën ajrore amerikane në Al-Harir, në Kurdistanin irakian, duke e shënjestruar atë me "pesë raketa".
Riadi shkatërroi dy dronë në rajonin e tij lindor të pasur me naftë dhe Kuvajti rrëzoi gjashtë dronë. Në Bahrein, një grua u vra kur një predhë goditi një ndërtesë banimi, ndërsa fusha e naftës Bapco është sulmuar me dronë. Po kështu edhe fusha e naftës në Shaybah në Arabinë Saudite është sulmuar. Në 24 orët e fundit këto sulme po synojnë veçanërisht infrastrukturën energjetike.
Ndërkohë zëdhënësi i Gardës Revolucionare, Mohammad Ali Naeini ka paralajmëruar se nuk do të lejojë eksportimin e asnjë litri naftë nga rajoni nëse vazhdojnë sulmet SHBA-Izrael.
"Irani nuk do të lejojë eksportin e asnjë litri nafte nga rajoni deri në njoftim të mëtejshëm për armikun armiqësor dhe partnerët e tij, për sa kohë që agresioni i SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit dhe infrastrukturës së tij civile vazhdon", deklaroi ai.
Duke iu referuar deklaratave të Presidentit Donald Trump se fuqia ushtarake e Iranit ka rënë, Naeini tha se janë forcat amerikane ato që po dobësohen.
"Tani, amerikanët po kërkojnë një fund të ndershëm të luftës, pasi e gjithë infrastruktura e tyre ushtarake është shkatërruar në rajonin e Gjirit Persik", shtoi ai.
Ambasada e SHBA-së në Bejrut po u bën thirrje qytetarëve të saj të kërkojnë "strehë të sigurt" nëse nuk kanë ndërmend të largohen nga Libani . Në një alarm sigurie të lëshuar këtë mëngjes, ambasada thotë se qytetarët amerikanë "duhet ta marrin seriozisht në konsideratë" largimin nga vendi me fluturimet e Middle East Airlines që nisen nga Aeroporti Rafic Hariri i Bejrutit nëse besojnë se është e sigurt ta bëjnë këtë.
Libani ka thënë se më shumë se gjysmë milioni njerëz janë zhvendosur nga luftimet midis Izraelit dhe Hezbollahut gjatë javës së kaluar, me sulmet izraelite që kanë vrarë të paktën 486 persona. (A2 Televizion)