Ushtria amerikane i është bashkuar Izraelit në një ofensivë të gjerë kundër Iranit, duke goditur më shumë se 1000 objektiva dhe duke eliminuar një pjesë të madhe të elitës drejtuese të regjimit, përfshirë edhe udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei. Të mërkurën, një nëndetëse amerikane fundosi një anije të marinës iraniane pranë Sri Lankës.
Por ndërsa ofensiva vazhdon, po shtohen pyetjet mbi ligjshmërinë e këtyre sulmeve, si nga këndvështrimi i së drejtës amerikane ashtu edhe i së drejtës ndërkombëtare. Kritikët thonë se veprimet e presidentit amerikan mund të tejkalojnë kompetencat kushtetuese dhe të bien ndesh me normat ndërkombëtare.
Prof. Marko Milanovic, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, Universiteti i Reading, shprehet:
“Sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit janë qartësisht të paligjshme. Për këtë nuk ka pothuajse asnjë dyshim. Arsyeja është se i vetmi justifikim që SHBA dhe Izraeli mund të përdorin për përdorimin e forcës kundër Iranit është vetëmbrojtja. Vetëmbrojtja, sipas nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, kërkon ose që Irani të ketë kryer një sulm të armatosur ndaj Izraelit apo SHBA-së, ose – sipas një interpretimi më të gjerë – që Irani të ishte në prag të kryerjes së një sulmi të tillë. Por nuk ka asnjë provë se Irani ishte në prag të sulmonte ndonjërin prej këtyre vendeve, qoftë me armë bërthamore apo me mjete të tjera.”
Çfarë ka thënë Trump?
Presidenti Donald Trump ka dhënë disa justifikime të ndryshme për operacionin. Ai ka deklaruar se besonte se Irani po përgatitej të godiste i pari dhe se ndërhyrja amerikane synonte të eliminonte kërcënime të menjëhershme ndaj Shteteve të Bashkuara, bazave të tyre ushtarake jashtë vendit dhe aleatëve.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje konkrete dhe disa nga pretendimet e tij nuk janë mbështetur nga raportet e inteligjencës amerikane.
Trump ka deklaruar gjithashtu se Irani mund të arrinte të prodhonte një armë bërthamore brenda një muaji, pa paraqitur prova për këtë. Ky pretendim bie në kundërshtim edhe me deklaratat e tij të mëhershme, kur kishte thënë se ushtria amerikane e kishte “shkatërruar plotësisht” programin bërthamor iranian.
Marko Milanovic shprehet: “Mjafton të shohësh edhe mënyrën se si kanë ndryshuar shpjegimet e administratës amerikane. Një ditë thuhet se Irani do të kishte brenda pak javësh një raketë ndërkontinentale që mund të godiste Shtetet e Bashkuara – gjë që është qartësisht e pavërtetë. Çdo vlerësim i inteligjencës tregon se Irani është vite larg nga një kapacitet i tillë.
Pastaj, një ditë tjetër, sekretari i shtetit Marco Rubio tha se Izraeli do ta sulmonte Iranin sido që të vepronte SHBA dhe se Irani me siguri do të kundërpërgjigjej ndaj forcave amerikane. Prandaj, sipas tij, SHBA vendosi të sulmonte e para. Kjo është një logjikë rrethore që nuk ka asnjë kuptim. Nëse e dinit që Izraeli do ta sulmonte Iranin, atëherë duhej ta frenonit Izraelin.”
Kompetencat presidenciale për përdorimin e ushtrisë
Sulmet ndaj Iranit po testojnë kufijtë e autoritetit kushtetues të presidentit amerikan, sipas ekspertëve ligjorë.
Sipas Kushtetutës së SHBA-së, presidenti është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe drejton politikën e jashtme, por vetëm Kongresi ka të drejtën të shpallë luftë.
Historikisht, presidentë nga të dyja partitë kanë ndërmarrë operacione ushtarake pa miratimin e Kongresit kur kanë argumentuar se kjo ishte në interes kombëtar. Por këto ndërhyrje kanë qenë zakonisht më të kufizuara në kohëzgjatje dhe intensitet sesa një luftë e mirëfilltë – një kufi që veprimet e Trump duket se po e testojnë.
Trump dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth e kanë përshkruar vetë operacionin si luftë. Hegseth e ka quajtur atë “operacionin ajror më vdekjeprurës, më kompleks dhe më preciz në histori”.
Trump ka paralajmëruar se operacioni mund të zgjasë pesë javë ose më shumë dhe se do të ketë viktima amerikane.
Në të kaluarën, Kongresi ka dhënë autorizim për operacione të mëdha ushtarake, si pushtimi i Afganistanit në vitin 2001 dhe i Irakut në vitin 2003 gjatë presidencës së George W. Bush.
Rezoluta për Kompetencat e Luftës
Rezoluta për Kompetencat e Luftës e vitit 1973 është krijuar për të kufizuar pushtetin e presidentit në përdorimin e forcës ushtarake.
Sipas kësaj rezolute, presidenti mund të përfshijë ushtrinë në konflikt të armatosur vetëm nëse Kongresi ka shpallur luftë, ka dhënë autorizim specifik, ose nëse bëhet fjalë për reagim ndaj një sulmi ndaj territorit amerikan apo forcave të tij ushtarake.
Rezoluta kërkon gjithashtu që presidenti të raportojë rregullisht para Kongresit për operacionet ushtarake dhe parashikon që çdo veprim ushtarak i paautorizuar duhet të përfundojë brenda 60 ditëve, përveç nëse Kongresi vendos ndryshe.
Disa ligjvënës nga të dyja partitë kanë deklaruar se planifikojnë të paraqesin këtë javë një rezolutë për të kërkuar tërheqjen e forcave amerikane nga konflikti.
Megjithatë, është shumë pak e mundshme që një votim i tillë të arrijë shumicën prej dy të tretash të nevojshme për të kapërcyer një veto presidenciale.
Sipas ekspertëve, presioni i opinionit publik mund të jetë faktori kryesor që kufizon aftësinë e Trump për të vazhduar operacionin.
Marko Milanovic thotë: “Fakti që civilët dëmtohen gjatë luftimeve nuk do të thotë automatikisht se është shkelur ligji. Për shembull, kur shohim një shkollë ku u vranë më shumë se 150 fëmijë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është kryer një krim lufte. Gjithçka varet nga ajo që dinte komandanti që urdhëroi sulmin në momentin kur e kreu atë. Nëse ai gabimisht besonte se po godiste një objektiv ushtarak, atëherë nuk do të kishte krim lufte. Megjithatë, në këtë rast duket se ka pasur një dështim të qartë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të verifikuar objektivin dhe për të minimizuar viktimat civile.”
Çfarë thotë e drejta ndërkombëtare?
Sipas shumë ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, një numër i madh shtetesh mund t’i konsiderojnë sulmet amerikane si të pajustifikuara sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Karta e OKB-së parashikon se shtetet duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës kundër një shteti tjetër, përveç dy rasteve: kur kjo autorizohet nga Këshilli i Sigurimit ose kur bëhet në vetëmbrojtje ndaj një sulmi të armatosur.
Asnjë nga këto dy kushte nuk duket të jetë plotësisht i pranishëm në këtë rast.
Ekziston edhe koncepti i vetëmbrojtjes parandaluese, sipas të cilit një shtet mund të ndërmarrë sulm nëse ka prova të qarta për një sulm të afërt dhe të pashmangshëm. Por deri tani nuk janë paraqitur prova publike që të mbështesin një kërcënim të tillë nga Irani.
Megjithatë, SHBA ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, gjë që praktikisht e mbron nga çdo rezolutë ndëshkuese.
Edhe kështu, shkelja e së drejtës ndërkombëtare mund të ketë pasoja politike. Për shembull, Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja kanë kufizuar përdorimin e bazave të tyre ushtarake për këto operacione, duke përmendur mungesën e një justifikimi të qartë për konfliktin.
Marko Milanovic shprehet: “Historia na tregon se drejtësia ndërkombëtare ndonjëherë vepron shumë vonë. Në rastin e ish-Jugosllavisë, për shembull, e gjithë udhëheqja politike dhe ushtarake serbe përfundoi përpara një gjykate ndërkombëtare, edhe pse në atë kohë askush nuk e priste një gjë të tillë.
Prandaj ekziston gjithmonë mundësia që disa nga aktorët e përfshirë sot – qoftë shtete apo individë – të mbajnë përgjegjësi, ndoshta pas shumë vitesh.
Por është gjithashtu e mundur që shkeljet e përsëritura të ligjit ndërkombëtar të dobësojnë vetë sistemin mbi të cilin ai është ndërtuar.”
A ishte i ligjshëm sulmi me nëndetëse pranë Sri Lankës?
Sipas ekspertëve ligjorë, sulmi i kryer nga nëndetësja amerikane duket se është në përputhje me ligjin e luftës. Ai ndodhi në ujëra ndërkombëtare dhe objektivi ishte një anije ushtarake iraniane që ishte funksionale.
Megjithatë, disa juristë argumentojnë se nëse qëllimi i SHBA është eliminimi i një kërcënimi të menjëhershëm nga Irani, një anije luftarake që ndodhet larg territorit iranian mund të mos konsiderohet objektiv i justifikuar, përveç nëse lidhet drejtpërdrejt me atë kërcënim.
A ishte i ligjshëm eliminimi i Khameneit?
Ekspertët thonë se kjo çështje nuk është e qartë. Sipas raportimeve, Izraeli ka kryer sulmin që vrau Khamenein, ndërsa SHBA ka ofruar mbështetje me inteligjencë dhe koordinim operacional.
Në vitin 1981, presidenti Ronald Reagan nënshkroi urdhrin ekzekutiv 12333, i cili ndalon zyrtarët amerikanë dhe agjencitë e inteligjencës të përfshihen në atentate.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se vrasja e një lideri, që në kohë paqeje mund të konsiderohej atentat, gjatë një konflikti të armatosur mund të shihet si një akt i ligjshëm lufte.
Në rastin e Khameneit, ligjshmëria varet nga dy faktorë: nëse SHBA konsiderohet zyrtarisht në luftë me Iranin në momentin e sulmit dhe nëse ai mund të klasifikohej si një objektiv ushtarak.
Marko Milanovic thotë “Për disa individë kjo është një çështje e ndërlikuar. Kjo përfshin edhe udhëheqësin suprem Khamenei, këshilltarët e tij dhe disa zyrtarë civilë që punojnë në inteligjencën ushtarake.
Megjithatë, SHBA dhe Izraeli mund të argumentojnë se shumë prej tyre marrin pjesë drejtpërdrejt në operacionet ushtarake, sepse marrin vendime taktike dhe operacionale.
Për shembull, Khamenei personalisht miratonte përdorimin e forcës në disa raste. Kjo logjikë vlen edhe për liderë të tjerë, si presidenti amerikan, sekretari i mbrojtjes apo kryeministri izraelit, të cilët janë civilë por marrin vendime ushtarake.
Prandaj, sipas mendimit tim, eliminimi i Khameneit dhe i disa këshilltarëve të tij të lartë mund të konsiderohet i ligjshëm sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare.” (A2 Televizion)