Vance po krijon të ‘’djathtën e re’’? Republikanët rrisin presionin ndaj Trump për të ndryshuar kurs

Nga Rosalba Bejdo
5 Nëntor 2026, 16:04 | Bota

Presidenti amerikan Donald Trump po përballet me presion nga republikanët për të ndryshuar kurs, pasi zgjedhjet e mesmandatit u dhanë demokratëve kontrollin e Kongresit dhe votuesit refuzuan kandidatët e zgjedhur personalisht nga Trump.

Aleatë dhe strategë republikanë i kërkuan Trumpit të riformatojë ekipin e tij në Shtëpinë e Bardhë, të vendosë sërish disiplinë në administratë dhe të braktisë politikat që, sipas tyre, çuan në humbjet e fundit, mes tyre luftën me Iranin dhe vendosjen e tarifave doganore.

Strategu veteran John Feehery e cilësoi rezultatin si një katastrofë të madhe për Trumpin. Megjithatë, ky i fundit ka thënë se nuk e sheh rezultatin e zgjedhjeve si një arsye për të ndryshuar kurs.

Zv.presidenti JD Vance, i cili konsiderohet si trashëgimtari politik i Trumpit, u duk se u distancua nga shefi i tij të mërkurën, teksa fajësoi Iranin për humbjen në zgjedhje. Në një prononcim pas deklaratës së Vance, kreu i Shtëpisë së Bardhë pranoi rolin e luftës në zgjedhje, por këmbënguli se ajo ia kishte vlejtur.

 “Mendoj se ajo që tha Vance është kryesisht e vërtetë, sepse në një periudhë afatshkurtër lufta bëri që çmimi i benzinës të rritej disi. Por, nga ana tjetër, nëse do të më duhej të merrja sërish të njëjtin vendim, do ta bëja përsëri, sepse në planin afatgjatë kjo është e vetmja zgjidhje. Nuk mund ta lejojmë Iranin të pajiset me armë bërthamore.”

Sipas Fox News, JD Vance po punon për një aleancë të re me republikanë të pakënaqur me Trumpin, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028. Një funksionar i administratës, i cituar nga media, pretendon se kjo “e djathtë e re” do të bazohet në disa parime kyçe, si qëndrimi larg konflikteve të huaja, ulja e kostos së jetesës në SHBA dhe mbyllja e kufijve.

Ndërkohë, Dhoma e Përfaqësuesve, tashmë e kontrolluar nga demokratët, mund të votojë që prej javës së ardhshme për të vënë nën akuzë kreun e Pentagonit, Pete Hegseth, pasi shumë ligjvënës republikanë po nxitojnë t'i atribuojnë fajin për rezultatet zgjedhore. Sipas tyre, Hegseth ka pasur një rol kyç në bindjen e Trumpit për të sulmuar Iranin pa një strategji daljeje.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos