Vendimi më kontrovers i Trump! Çfarë thotë Kennedy Jr. për vaksinat?

Nga Xhevahir Qardaku
15 Nëntor 2024, 10:27 | Bota

Donald Trump lë shëndetësinë amerikane në dorë të Robert Kennedy Jr. Nominimi i politikanit në fjalë nga presidenti i zgjedhur është i destinuar që të ngrejë polemika. Kennedy Jr. themeloi një nga grupet më të rëndësishme kundër vaksinave në Shtetet e Bashkuara dhe promovoi teorinë e paprovuar kurrë se vaksinat e fëmijërisë shkaktojnë autizëm.

Ish-kandidati i pavarur dhe më pas mbështetësi i Trump ka thënë në intervistat e fundit se nuk ka ndërmend të anulojë asnjë vaksinë të miratuar, por ka argumentuar se agjencitë shëndetësore nuk kanë bërë mjaftueshëm kërkime për to, shkruan A2 CNN. Presidenti i zgjedhur, në fjalimin e parë publik pas fitores, vlerësoi Robert Kennedy Jr, duke e konsideruar një mendje të madhe.

“Unë mendoj se ai ka të drejtë. Ai dëshiron t'i bëjë njerëzit të shëndetshëm. Kjo e ka bërë atë mjaft aktiv gjatë viteve të fundit. Dhe demokratët nuk e trajtuan mirë”, tha Trump.

Trump premtoi se ai do ta bëjë Amerikën sërish të shëndetshme duke mbrojtur qytetarët nga “kimikatet e dëmshme, ndotësit, pesticidet, produktet farmaceutike dhe aditivët ushqimorë”. Presidenti i zgjedhur amerikan gjatë fjalimit të mbajtur në Florida, tha se lufta Rusi-Ukrainë duhet të marrë fund dhe se kjo çështje do të jetë një prioritet kur të marrë detyrën në janar.

Trump më pas emëroi Jay Clayton, si prokuror në Manhatan, vendi i disa gjyqeve kundër tij. Pavarësisht se ende nuk ka marrë detyrën, Elon Musk, ka nisur të ideojë agjencinë e tij për efiçencë qeveritare. Bashkë me Vivek Ramaswamy, kanë lëshuar një ofertë të pazakontë për punë: kërkojnë amerikanë me një nivel të lartë inteligjence, të gatshëm për të punuar më shumë se dhjetë orë në ditë për të prodhuar reduktime të mëdha në shpenzimet publike dhe këtë detyrë ta bëjnë plotësisht falas.

Por Elon Musk duket se nuk do të merret vetëm me reformën në burokracinë shtetërore, por edhe me diplomaci me shtetet rivale të Amerikës. New York Times raporton një takim të miliarderit me ambasadorin Iranian në Kombet e Bashkuara. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos