Vërshim protestuesish në Bruksel, kërkojnë qëndrim më të fortë nga BE kundër Izraelit

Nga A2 CNN
7 Shtator 2025, 18:32 | Bota

Mijëra protestues pro-palestinezë mbushën rrugët e Brukselit këtë të diele, në një përpjekje për të rritur presionin mbi politikanët belgë dhe të Bashkimit Evropian, për një qëndrim më të fortë kundër Izraelit dhe në mbështetje të palestinezëve në Gaza.

Protestuesit kryesisht ishin të veshur me të kuqe, për të simbolizuar një vijë të kuqe kundër dhunës në rajon, shkruan A2 CNN.

Duke filluar nga stacioni Brussel-Noord, marshimi u drejtua drejt zonës së Brukselit, ku ndodhen kryesisht institucionet evropiane. Mijëra njerëz valëvisnin flamuj palestinezë dhe brohorisnin slogane, ndërsa marshuesit ecnin me muzikë tradicionale arabe që luhej përmes altoparlantëve.

Organizatoret thanë se protesta kishte për qëllim t'u dërgonte një mesazh të fortë politikanëve dhe kompanive evropiane që të ndalonin çdo mbështetje të veprimeve të Izraelit në Gaza.

Dhjetëra mijëra palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite që kur ajo nisi luftën hakmarrëse, pasi luftëtarët e Hamasit sulmuan Izraelin nga Gaza në 7 tetor 2023. Rreth 1,200 njerëz u vranë në atë sulm në Izraelin jugor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos