Të infektuara me “Escherichia coli”, SHBA tërheq nga tregu karotat

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2024, 17:24 | Bota

Të infektuara me “Escherichia coli”, SHBA tërheq nga tregu

Karotat organike që shiten në dyqanet ushqimore në të gjithë SHBA-në janë hequr nga raftet pas dhjetëra rastesh të infektuarish me bakterin e “Escherichia coli”, i cili deri nga këto momente i ka marrë jetën një personi

Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njofton se 15 persona të tjerë janë të shtruar në spitale dhe 39 raste janë raportuar në 18 shtete.

Zyrtarët thonë se produktet që dyshohet se janë të infektuar mund të mos jenë më në dyqane, por mund të jenë ende në shtëpi dhe për këtë arsye ju bën thirrje qytetarëve që të mos i konsumojnë ato dhe t’i hedhin.

Shumica e personave të infektuar jetojnë në Nju Jork, Minesota dhe Uashington, të ndjekur nga Kalifornia dhe Oregon.

Përveç heqjes së çdo karote, CDC shtoi se njerëzit duhet të pastrojnë dhe dezinfektojnë çdo sipërfaqe që mund të kenë prekur.

Simptomat e E. coli përfshijnë ngërçe të rënda në stomak, diarre dhe të vjella dhe zakonisht fillojnë tre deri në katër ditë pas gëlltitjes së baktereve.

Shumica e njerëzve shërohen pa trajtim, por disa mund të kenë probleme serioze me veshkat dhe duhet të shtrohen në spital. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos