Reagime të ashpra rreth botës kanë shkaktuar videot rrëqethëse te pengjeve izraelite në gjendje të rënduar shëndetësore, e të filmuar nga pengmarrësit e tyre në Gaza.
Kryqi i kuq ka ripërsëritur thirrjet që të kenë qasje ndaj të gjithëve atyre në robëri. Sekretari për punët e jashtme David Lammy tha se imazhet e pengjeve që ekspozohen për propagandë janë të neveritshme dhe se ata duhet të lirohen pa asnjë kusht. Reagimet erdhën pasi grupi palestinez i Xhihadit Islamik, publikoi një video të izraelitit Rom Braslavski, I dobësuar dhe duke qarë teksa kërkon ndihmë, dhe Hamasi shfaqi pamjet e Evyatar David, një tjetër peng në gjendje jo të mirë dhe tejet i dobësuar.
Braslavski,21 vjeç dhe David, 24, u rrëmbyen nga festivali muzikor Nova më 7 tetor 2023 gjatë sulmit të koordinuar të Hamasit. Ata janë mes 49 pengjeve ende në duart e Hamas, e ku përfshihen edhe 27 të vdekur.
Liderët izraelitë akuzuan Hamasin se po linte pengjet të vuanin urinë. Por grupi militant që udhëheq Gazën e mohoi diçka të tillë, duke thënë se pengjet hanë atë që luftëtarët dhe njerëzit e tyre hanë, mes krizës së urisë në Gaza.
Sipas raportimeve nga Gaza, palestinezët që kërkojnë dëshpërimisht ndihma pranë pikave të shpërndarjes u vunë në shënjestër të zjarrit nga trupat izraelite në dy zona të ndryshme gjatë së dielës, ku sipas burimeve shëndetësore të paktën 27 persona u vranë.
Pas publikimit të videove të pengjeve, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu foli me familjarë të tyre duke shprehur tronditjen e thellë, dhe duke u thënë se nuk do të ndalë përpjekjet për kthimin e tyre.
Ndërkohë Hamas u shpreh i gatshëm ndaj kërkesës së Kryqit të Kuq për t’u dërguar ndihma dhe ilaçe pengjeve, nëse korridore humanitare do të hapeshin në bazë të rregullt, dhe nëse sulmet ajrore do të ndaleshin gjatë shpërndarjes së ndihmave. (A2 Televizion)