Shefja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen paralajmëroi në fjalimin e saj para eurodeputetëve të Parlamentit Europian se Evropa "nuk ka kohë për të humbur" për të rritur mbrojtjen dhe konkurrencën e saj. Fjalimi i von der Leyen u prit me duartrokitje nga të pranishmit në Strasburg, ndërsa ligjvënësit evropianë përgatiten të japin dritën jeshile ekzekutivit të saj të ri për të filluar punën. Duke iu drejtuar parlamentarëve në Strasburg, Von der Leyen tha se ekipi i saj ishte gati të punonte menjëherë për t'u përballur me sfidat në rritje të bllokut – më urgjentisht lufta e Ukrainës “e ndezur në kufijtë e Evropës”.
“Liria për Evropën, si në të kaluarën, "nuk do të jetë e lirë". Do të thotë të bëjmë zgjedhje të vështira. Do të thotë të investojmë shumë në sigurinë dhe prosperitetin tonë dhe mbi të gjitha do të thotë të qëndrojmë të bashkuar dhe besnik ndaj vlerave tona. Sepse besoj se brezi ynë i evropianëve duhet të luftojë edhe një herë për liri dhe sovranitet”.
Von der Leyen bëri thirrje për rritje të shpenzimeve ushtarake, pasi krahasuar me Rusinë, Bashkimi Europian qëndron pas.
"Rusia shpenzon deri në 9% të PBB-së së saj për mbrojtjen. Evropa shpenzon mesatarisht 1.9%. Ka diçka të gabuar me këtë ekuacion. Shpenzimet tona të mbrojtjes duhet të rriten. Dhe ne kemi nevojë për një treg të vetëm të mbrojtjes".
Ekipi i ri i Ursula von der Leyen, duhet të fillojë zyrtarisht mandatin e tij të dielën, pasi disa nga grupet kryesore në parlament arritën një marrëveshje për ta mbështetur atë. Grupet e djathta, të qendrës dhe të qendrës së majtë ranë dakord javën e kaluar të votojnë komisionin e ri 27 anëtarësh në tërësi, të kryesuar nga Von der Leyen për një mandat të dytë.
Votimi përfundimtar për t’i dhënë besimin Komisionit të ri Europian pritet të zhvillohet të mërkurën në mbrëmje pas disa orë debatesh me emrat e rinj drejtues të institucioneve të Bashkimit Europian. (A2 Televizion)