Rusia është e përfshirë në vrasjen e ish-kryetarit të parlamentit ukrainas Andriy Parubiy, sipas autoriteteve në Kiev. Parubiy u qëllua për vdekje në qytetin perëndimor të Lvivit, ditën e shtunë dhe presidenti Volodimir Zelenski tha më herët gjatë se një i dyshuar ishte arrestuar. Ai e cilësoi këtë një “vrasje të tmerrshme’, që siç tha kishte ndikuar në sigurinë e një vendi në luftë.
“Dimë se krimi nuk ishte aksidental. Ka përfshirje të Rusisë. Të gjithë do të mbahen përgjegjës para ligjit”, pohoi kreu i policisë Ivan Vyhivskyi. Moska nuk ka komentuar mbi vrasjen, e as mbi sugjerimet se ishte e përfshirë në incident. Ndërkohë Ministri i Brendshëm Ihor Klymenko njoftoi në platformën Telegram se autori i dyshuar ishte arrestuar gjatë natës në rajonin e Khmelnytskyi në Ukrainën perëndimore.
Edhe pse nuk ofroi shumë detaje ai tha se krimi ishte planifikuar me kujdes, bashkë me planin e arratisjes.
Autoritetet sqarojnë se I dyshuari e kishte hequr veten si një korrier, dhe kishte hapur zjarr ndaj ish kryetarit të parlamentit në mes të ditës, duke qëlluar 8 herë me armë zjarri.
54-vjecari Parubiy, ishte pjesëtar i parlamentit ukrainas dhe ka shërbyer si kryetar kuvendi nga prilli i vitit 2016 deri në gusht të 2019-tës. Ai ishte një prej liderëve të protestave në vitet 2013-2014, që kërkoi lidhje më të ngushta me BE, e që çuan në rrëzimin e atëherë presidentit pro rus, Viktor Yanukovich. Ai ishte gjithashtu sekretar i Këshillit për Sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare nga shkurti në gusht 2014, periudhë kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë. (A2 Televizion)