Pas Vladimir Putin, në listën e më të kërkuarve të botës përfunduan dhe ish ministri rus, Sergej Shoigu dhe shefi i shtabit të përgjithshëm, Valeri Gerasimov. Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhër-arreste ndaj tyre për shkak të veprimeve gjatë luftës në Ukrainë. Nuk ka vonuar dhe reagimi nga Moska.
“Urdhër-arresti i lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare kundër ish ministrit të mbrojtjes, Serhej Shoigu, bën pjesë në luftën hibride të perëndimit kundër Rusisë”, lexohet në një deklaratë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Federatës, institucion të cilin e drejton aktualisht vetë Shoigu.
Por telashet ligjore nuk kanë mbaruar me kaq. Gjykata e Strasburgut ka dënuar Rusinë për shkeljen e të drejtave të njeriut në mënyrë sistematike në Krime duke nisur nga shkurti i vitit 2014. Moska i është përgjigjur sanksioneve perëndimore duke bllokuar sajtet e 81 mediave europiane, me Francën që paraqitet të jetë shteti më i goditur.
Kjo vjen në një kohë kur Kremlini thekson gatishmërinë për dialog me presidentin Emmanuel Macron, por pa ndonjë parakusht. Gjithashtu Putini pretendon se propozimi i tij për paqen mund ta ndalojë luftën në Ukrainë dhe të rikthejë dialogun mes palëve, por ndër kushtet e tij është heqja dorë nga 4 rajonet e aneksuara. Kundërpërgjigja e Kievit ka qenë një refuzim i menjëhershëm pasi nuk ofron paqe, por vetëm dorëzim dhe humbje të territorit.
Në terren, lufta nuk ka ndaluar. Palët pretendojnë rrëzimin e dhjetëra dronëve, por edhe bombardime në rajone të ndryshme. Ukraina ka bërë, ndërkohë, një ndryshim domethënës në radhët e ushtrisë. Presidenti Volodymyr Zelensky, ka zëvendësuar komandantin e forcave të bashkuara, Yuri Sodol, pasi ky i fundit është akuzuar nga njerëzit e tij se “ka vrarë më shumë ushtarë ukrainas se çdo gjeneral tjetër i Rusisë”. (A2 Televizion)