Oficerët e Forcës Kufitare britanike rrezikuan të përballeshin me një faturë të madhe kompensimi kur vendosën të çanin një pajisje industriale pasi ajo mbërriti në një port në Mbretërinë e Bashkuar.
Duke përdorur përvojën e tyre për të zbuluar dërgesa të dyshimta, ata përdorën një prerëse metalike për të çarë dy gjeneratorë me vlerë 700 mijë paund në copa.
Por ky rrezik u shpërblye kur ata zbuluan se makineritë ishin në fakt një mashtrim i sofistikuar nga trafikantët e drogës. Pasi pajisjet u çmontuan, oficerët gjetën kokainë me vlerë 72 milionë paund të fshehur brenda.
Një ton drogë u rikuperua nga dy pajisjet, të cilat kishin mbërritur në portin "London Gateway", në bregun verior të lumit Thames në Thurrock. Dërgesa kishte mbërritur nga një vend i paidentifikuar në Amerikën e Jugut.
"Kapja tregon se si grupet kriminale të organizuara po përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara për të shmangur zbulimin. Trafikantët e dinin që Forca Kufitare do të përballej me një faturë qindra mijëra paundësh nëse dëmtonte pajisjet", tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike.
Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Mike Tapp, deklaroi se “trafikantët e drogës menduan se kërcënimi i një fature të madhe dëmesh do ta trembte Forcën Kufitare dhe do ta ndalonte nga sekuestrimi i kësaj sasie kokaine”.
Pas zbulimit, Agjencia Kombëtare e Krimeve nisi një hetim dhe një i dyshuar është tashmë i akuzuar. (A2 Televizion)