Një nga rezervat më të mëdha të naftës në Europë është zbuluar në Poloni, duke ngritur pyetjen nëse ky vend mund të bëhet një pikë kyçe për sigurinë energjetike të kontinentit. Bëhet fjalë për vendburimin “Wolin”, i cili ndodhet rreth 6 kilometra nga qyteti portual Świnoujście, afër kufirit me Gjermaninë.
Ekspertët vlerësojnë se rezervat mund të arrijnë deri në 240 milionë fuçi nafte dhe 27 miliardë metra kub gaz natyror, shifra që mund të dyfishojnë rezervat aktuale të Polonisë. Nëse konfirmohen plotësisht, Polonia jo vetëm që do të mbulonte konsumin e vet vjetor, por mund të nisë edhe eksportin drejt vendeve fqinje si Gjermania, Çekia dhe Sllovakia.
Ndikimet janë të mëdha në disa drejtime: investime në infrastrukturë, rritje ekonomike në zonat pranë Detit Baltik, dhe mijëra vende të reja pune në sektorët e eksplorimit, nxjerrjes dhe logjistikës. Instituti për Studime Energjetike në Berlin e cilëson këtë zbulim si “riformësim i hartës energjetike të Europës”, ndërsa analistët në Bruksel e shohin si një hap për të reduktuar varësinë nga Rusia dhe Lindja e Mesme, shkruan A2 CNN.
Megjithatë, zbulimi nuk është një zgjidhje magjike për të gjithë kontinentin. Sipas konsulencës DataPulse, vendburimi përmban rreth 22 milionë tonë naftë, më pak se një e treta e një projekti norvegjez që nis prodhimin këtë vit. Gjermania, për shembull, do ta konsumonte këtë sasi në vetëm tre muaj.
Edhe Polonia do të vazhdojë të jetë e varur nga importet. Në varësi të ritmit të prodhimit, zëvendësimi i importeve mund të jetë vetëm 6-12% dhe rezervat mund të shterojnë për 10 vjet.
Një tjetër sfidë është infrastruktura e kufizuar në Detin Baltik, e cila rrit koston në krahasim me operacionet në Detin e Veriut. Megjithatë, Polonia po diversifikon burimet: për herë të parë në qershor 2025, prodhoi më shumë energji nga burimet e rinovueshme (44,1%) sesa nga qymyri (43,7%). (A2 Televizion)