Bota ka shmangur luftën botërore në fije të perit. Një raport inteligjence i krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe shpërndarë në nivelet e larta të ushtrisë amerikane thuajse shkaktoi një përplasje ushtarake me Kinën, raporton ekskluzivisht CNN.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur pranverën e kaluar, në kulmin e luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Sipas raportit, një anije kineze në Lindjen e Mesme ishte identifikuar si transportuese e komponentëve të destinuar për një program armësh bërthamore, duke shkaktuar menjëherë alarm në ushtrinë amerikane.
Forcat amerikane nisën përgatitjet për të hipur në anije, ndërsa avionë ushtarakë u ngritën nga bazat në rajon, duke rritur rrezikun e një përshkallëzimi të drejtpërdrejtë me Pekinin. Por pak para se operacioni të merrte miratimin përfundimtar, zyrtarët amerikanë e analizuan më në detaje raportin dhe zbuluan se ai ishte krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.
Chatboti i përdorur nga analisti kishte identifikuar gabimisht ngarkesën e anijes kineze dhe kishte prodhuar një vlerësim të rremë. Raporti u konsiderua më pas “plotësisht i rremë”, por sipas burimeve të cituara nga mediat amerikane, ai kishte rrezikuar të shkaktonte një luftë me Kinën.
Rasti ngre pikëpyetje të mëdha mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në analizën ushtarake dhe rrezikun që gabimet e saj të ndikojnë në vendime me pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë ndërkombëtare.
(A2 Televizion)