Zëri qytetar, kundër vendimit të Hagës që dënoi ish krerët e UÇK, vazhdon të rritet. Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka paralajmëruar një tjetër tubim në Prishtinë, në kërkim të lirisë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, platforma ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën që pritet të nisë nga ora 21 e mbrëmjes. Ndërkohë, pas indinjatës qytetare, një deputet i pakicave në Kosovë ka shprehur hapur mbështetjen për procedurën e zhbërjes së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ligjvënësi i vetëm i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka deklaruar se është i gatshëm të japë mbështetjen dhe nënshkrimin e tij për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit. “Unë jam i gatshëm ta jap nënshkrimin tim. Jo në emrin tim!”, ka shkruar Berisha. (A2 Televizion)