Trump firmos ligjin: Sanksione të reja ndaj Rusisë, tarifa deri në 100% për blerësit të naftës dhe gazit rus

Nga A2 CNN
19 Shtator 2026, 09:51 | Bota

Trump firmos ligjin: Sanksione të reja ndaj Rusisë, tarifa deri

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka firmosur një ligj të ri që vendos sanksione shtesë ndaj Rusisë, duke synuar drejtpërdrejt presidentin rus Vladimir Putin, zyrtarë të qeverisë së tij, oligarkë dhe institucione financiare ruse.

Ligji i ri, i quajtur “Lindsey O. Graham Sanctioning Russia and Iran Act of 2026”, i jep presidentit amerikan autoritetin të vendosë tarifa doganore deri në 100% ndaj pesë blerësve më të mëdhenj të naftës dhe gazit natyror rus. Masa pritet të ndikojë veçanërisht Kinën dhe Indinë, të cilat konsiderohen ndër importuesit kryesorë të energjisë nga Rusia.

Projektligji u miratua me mbështetje dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve dhe më herët edhe në Senat, megjithëse disa senatorë demokratë shprehën shqetësime për zgjerimin e kompetencave presidenciale në fushën e tarifave tregtare.

Ndërkohë, tensionet në Evropë dhe në frontin e luftës në Ukrainë mbeten të larta. Trafiku ajror në Luksemburg u pezullua përkohësisht gjatë natës për shkak të dyshimeve për aktivitete të paautorizuara me dronë pranë hapësirës ajrore të vendit, por më pas fluturimet rifilluan normalisht.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se gjatë natës janë interceptuar 344 dronë ukrainas në rajone të ndryshme të Rusisë evropiane, përfshirë zonën e Moskës, Belgorodit, Kurskut dhe rajone të tjera, si dhe mbi Detin e Zi. Situata dëshmon përshkallëzimin e vazhdueshëm të përplasjes mes Rusisë dhe Ukrainës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos