Zbulohet një varr masiv me 300 trupa në spitalin e Gazës

Nga A2 CNN
23 Prill 2024, 08:07 | Bota

Zbulohet një varr masiv me 300 trupa në spitalin e Gazës

Një varr masiv me afro 300 trupa është zbuluar në një spital në qytetin jugor të Gazës. Lajmi është bërë i ditur nga punonjësit e Mbrojtjes Civile të Gazës. Trupat janë zbuluar menjëherë pas tërheqjes së forcave izraelite nga zona në fillim të këtij muaji.

Kolonel Yamen Abu Suleiman, Drejtor i Mbrojtjes Civile në Khan Younis i tha CNN se "73 trupa u gjetën" në oborrin e Kompleksit Mjekësor Nasser, i cili e çoi "numrin e përgjithshëm në 283".

Sulejmani pretendon se disa prej trupave ishin gjetur me duar dhe këmbë të lidhura, “si dhe shenja të ekzekutimeve në terren. Nuk e dimë nëse janë varrosur të gjallë apo janë ekzekutuar. Shumica e trupave janë të dekompozuar”, tha ai.

Pas tërheqjes së ushtrisë nga Khan Younis në fillim të prillit, banorët u kthyen në vend në kërkim të trupave të të dashurve të tyre me qëllim që t'i varrosnin diku tjetër në varre të përhershme.

“Në periudhën e kaluar, ne prisnim që forcat izraelite të tërhiqeshin nga spitali Nasser. Ne po ndiqnim ngjarjet, ndërsa ata po rrethonin spitalin Naser. Gjetëm trupin e Osamës, por nuk mundëm ta gjenim trupin e Muhamedit, vëllait të tij. E keni parë si është skena, ka grumbuj trupash, dhe disa viktima nuk mund të gjenden. Nuk mundëm ta gjenim trupin. Po ta kishim gjetur, do ta varrosnim pranë vëllait të tij. Ata fillimisht u varrosën së bashku”.

Shërbimi i Emergjencave Civile Palestineze tha në një deklaratë se ka ende rreth 2,000 persona të zhdukur nën rrënojat në Khan Younis dhe 1,000 në zonat qendrore të Rripit të Gazës, trupat e të cilëve nuk mund të nxirren për shkak të mungesës së pajisjeve të rënda dhe makinerive për heqjen e rrënojave. Ndërkohë, banorët e Gazës raportuan sulme ajrore në disa zona të tjera, duke përfshirë Rafah, synimi final për operacionin e shtetit të Izraelit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos