Kandidati i Partisë Social-Demokrate për president të Rumanisë, Marcel Ciolacu, udhëheq me 25 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën të dielën.
Megjithatë, Ciolacu, aktualisht kryeministër i shtetit, duket se do të vazhdojë garën në raundin e dytë, dhe ka mundësi që kundërshtare të ketë Elena Lasconin, nga Unioni për Ruajtjen e Rumanisë, parti e qendrës së djathtë.
Pas mbylljes së vendvotimeve, kompanitë e sondazheve e kanë renditur Ciolacun të parin me 25 për qind të votave, ndërsa Lasconin në vendin e dytë me 18 për qind.
Kandidati i pavarur Caiin Georgescu dhe George Simion, lider i të djathtës ekstreme, duket se kanë fituar 14-16 për qind të votave.
Në garën për president të Rumanisë kanë qenë 13 kandidatë.
Nëse asnjëri kandidat nuk fiton mbi 50 për qind të votave, raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet më 8 dhjetor, mes dy kandidatëve të parë.
Zyrtarët zgjedhorë deklaruan se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 52.4 për qind, që do të thotë se rreth 9 milionë shtetas rumunë kanë votuar.
Rumania është aleate e rëndësishme për Ukrainën fqinje, pasi përveç ofrimit të ndihmës ushtarake, ajo ka luajtur rol kyç në transportimin e grurit ukrainas në tregjet globale.
Meritat më të mëdha për qasjen kaq pro-ukrainase të Bukureshtit, i shkojnë presidentit aktual, Iohannis. REL (A2 Televizion)