Shigeru Ishiba u konfirmua kryeministër i Japonisë në balotazhin e zgjedhjeve të mbajtura për Dhomën e Ulët të Parlamentit, për herë të parë në 30 vjet, pasi asnjë nga liderët e partive politike nuk kishte marrë shumicën në raundin e parë të votimit.
Në zgjedhjet e 27 tetorit, Partia Liberale Demokratike në pushtet e Ishiba dhe partneri i saj Komeito së bashku humbën shumicën prej 465 vendesh në dhomën e ulët, më të fuqishmenn nga dy parlamentet e Japonisë.
Por në seancën e posaçme parlamentare të thirrur për balotazhin e zgjedhjeve, Ishiba mundi udhëheqësin kryesor të opozitës Yoshihiko Noda me 221 vota kundër 160.
Megjithatë, Ishiba do të duhet të luftojë në muajt e ardhshëm për të fituar konsensusin e opozitës për politika të tilla si buxheti dhe ligjet e tjera. (A2 Televizion)