Zhvendosja e palestinezëve, Trump, negociata me Somalinë dhe Sudanin për planin final

Nga A2 CNN
14 Mars 2025, 18:08 | Bota

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë kontaktuar zyrtarë nga Sudani, Somalia dhe rajoni i saj i shkëputur Somaliland për të diskutuar përdorimin e territorit të tyre për rivendosjen e palestinezëve nga Gaza.

Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia Ndërkombëtare e Lajmeve, Associated Press, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe izraelitë.

Zyrtarët e Sudanit thanë se e refuzuan propozimin e Shteteve të Bashkuara dhe zyrtarët nga Somalia dhe Somaliland thanë se nuk ishin në dijeni të ndonjë kontakti, theksoi AP.

Në fillim të këtij muaji, liderët arabë miratuan një plan egjiptian për rindërtimin e Gazës prej 53 miliardë dollarësh, i cili do të shmangte zhvendosjen e palestinezëve nga enklava, në kontrast me vizionin e Presidentit të SHBA Donald Trump për një "rivierë të Lindjes së Mesme". Ata përfshinin liderët e Sudanit dhe Somalisë.

Trump ka propozuar marrjen e Rripit të Gazës nga SHBA për të rindërtuar enklavën e shkatërruar, pasi më herët sugjeroi se palestinezët duhet të zhvendosen përgjithmonë.

Plani i Trump përforcoi frikën e kahershme të palestinezëve për t'u dëbuar përgjithmonë nga shtëpitë e tyre dhe u prit me një refuzim të gjerë ndërkombëtar.

Grupi militant palestinez Hamas kreu sulme ndaj komuniteteve në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 njerëz peng, sipas të dhënave izraelite. Më shumë se 48,000 palestinezë janë vrarë në ofensivën ushtarake të Izraelit të nisur si kundërpërgjigje, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos