Me rritjen e temperaturave, zjarre të shumta janë përhapur në rajonet e Egjeut dhe Marmarasë. Deri më tani, autoritetet turke raportojnë se janë dëmtuar 3733 hektarë nga 430 zjarre pyjore. Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë së Turqisë, Ibrahim Yumaklı, deklaroi se së fundmi 11 zjarre me rrezikshmëri të lartë u përhapën në 7 provinca të ndryshme.
Zjarret në Çeşme dhe Torbalı të Izmirit, në bregun perëndimor të Anadollit janë vënë nën kontroll, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të menaxhuar zjarret në Selçuk dhe Menderes e në disa zona të tjera.
Ministri theksoi rëndësinë e parandalimit të zjarreve dhe theksoi përgjegjësinë e çdokujt për arritjen e këtij qëllimi. Sakaq janë marrë masa për të siguruar evakuimin e banorëve. Po ashtu, Prokuroria e vendit ka nisur hetimet për zjarrvënie të qëllimshme në disa zona.
Para disa ditësh, një zjarr i madh në pjesët kurde të Turqisë juglindore shkaktoi të paktën 12 viktima dhe dëme të shumta materiale.
(A2 Televizion)