Me sloganin “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë”, Partia Demokratike Zvicerane, e ekstremit të djathtë, ka promovuar referendumin që do të mbahet më 10 qershor dhe që mund të ketë pasoja të forta për vendin.
Qytetarët zviceranë do të votojnë për kufizimin e popullsisë rezidente në maksimum 10 milionë banorë, ndërsa nëse iniciativa miratohet, ajo do të hyjë në fuqi sapo popullsia të kalojë pragun e 9,5 milionëve, shkruan A2 CNN. Masa parashikon vendosjen e kufizimeve për hyrjet e reja në vend, përfshirë azilkërkuesit dhe bashkimet familjare, ndërkohë që aktualisht popullsia e Zvicrës është rreth 9,1 milionë banorë.
Promotorët e referendumit thonë se rritja e numrit të banorëve po shton qiratë dhe po rëndon infrastrukturën dhe shërbimet publike. Kundërshtarët paralajmërojnë se iniciativa mund të dëmtojë ekonominë dhe të rrezikojë marrëveshjet me Bashkimin Europian për lëvizjen e lirë të njerëzve. (A2 Televizion)