11 ditë operacion në Veri të Kosovës! Sekuestrohen armë e municione, zbulohen 3 varreza masive

Nga A2 CNN
20 Gusht 2026, 16:56 | Aktualitet

Një operacion 11-ditor i institucioneve të sigurisë në veri të Kosovës ka çuar në zbulimin e një arsenali të madh armësh dhe municionesh, si dhe të tre lokacioneve me mbetje mortore. Këto u bënë të ditura në një konferencë të jashtëzakonshme për media nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.

“Zbulimi i tre varrezave masive ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve tona të cilave u ka paraprirë shtrirja e sovranitetit të shtetit edhe në veriun e vendit tonë. sundimi i rendit të ligjit, bashkëpunimi ndërinstitucional si dhe ai qytetar. zbulimi i këtyre varrezave masive ka nxjerrë në pah edhe njëherë dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit Kosovë. Veriu i vendit tonë përveç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve shqiptarë keqtrajtimeve është shfrytëzuar edhe për fshehjen e trupave pas vrasjeve makabre”, tha ministri Sveçla.

Sipas tij në tre lokacione janë zbuluar mbetje mortore të 23 personave, ndërsa theksoi se 3 dekada pas luftës familjarët presin të kuptojnë fatin e të dashurve të tyre.

“Gati tre dekada pas luftës, familjarët e personave të zhdukur me forcë presin që ta kuptojnë fatin e më të dashurve të tyre. Kosova me ngulm kërkon përgjegjësi për urdhërdhënësit, organizatorët, dorasit, ata që fshehën trupat e viktimave si dhe ata që fshehën informata mbi vendndodhjen e viktimave të këtyre masakrave. Siç tashmë është njoftuar opinioni publik, në tre lokacione janë gjetur mbetje mortore të 23 personave. Në lokacionin e parë janë gjetur 13 mbetje, në lokacionin e dytë katër mbetje dhe në lokacionin e tretë gjashtë mbetje mortore”.

Operacionet janë zhvilluar nga 6 deri më 17 gusht në zonën e komunës së Zubin Potokut, në bashkëpunim mes Policisë së Kosovës, Prokurorisë, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe strukturave për hetimin e krimeve të luftës.

Ndërsa armatimi është gjetur në 12 lokacione të ndryshme dhe hetimet do vijojnë për përcaktimin e origjinës, identifikimin e viktimave dhe zbardhjen e përgjegjësive për krimet e luftës.

“Nga sot ai do t'i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuara, përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, bëri të ditur Sveçla.

Gjatë kontrolleve në katër lokacione janë sekuestruar 72 armë, përfshirë mitralozë, pushkë AK-47, armë të tjera të gjata, pushkë gjahu dhe pistoleta. Gjithashtu janë gjetur 7 mjete shpërthyese, 7 granata dore, detonatorë dhe 4,831 copë municione të kalibrave të ndryshëm.

“Janë gjetur 72 copë armë, prej tyre dy mitralozë, 11 armë të gjata AK47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë të gjuetisë, nëntë armë të shkurtra pistoleta, një pushkë ajrore, janë gjetur mjete shpërthyese shtatë copë, shtatë granata dore, dy detonatorë elektrik të përdorur, pjesë plastike të paketimit të granatës, mjete piroteknike, pjesë metalike të mjeteve shpërthyese. Po ashtu janë gjetur edhe municione gjithsej 4831 copë municione të kalibrave të ndryshme. Po ashtu janë gjetur dhe pjesë të armëve të shumta, të tyta, kontakt, karikatorë, optikë për armë, kasetë armatimi dhe po ashtu krerë, fishekë apo magazina”.

Në arsenalin e sekuestruar kishte edhe pajisje ushtarake, radiolidhje, uniforma, çanta dhe materiale që lidhen me strukturat ushtarake e policore të Serbisë.

“Janë gjetur gjithashtu edhe shumë pajisje të tjera ushtarake, thika ushtarake, gazmaska, 10 palë dylbi, radiolidhje, mbushë për radio, sëpata ushtarake, arka druri për municione dhe mjete të tjera luftarake të cilat janë konfiskuar. Po ashtu janë gjetur numër të madh i uniformash çanta ushtarake, këmisha ushtarake të ushtrisë së Serbisë, policisë së Serbisë dhe pajisje të tjera që ndërlidhen me qëllimin ushtarak”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos