A mund t’iu besohet sërish uniforma? Dorëheqja e policëve serbë, skenari i dështuar për destabilizim

Nga Ideal Gola
19 Shtator 2024, 20:14 | Aktualitet

A mund t’iu besohet sërish uniforma? Dorëheqja e policëve

Mbi 550 policë serbë u dorëhoqën në nëntor të vitit 2022 me direktiva të Listës Serbe si dhe disa të tjerë një vit më parë kur u pranuan në një konkurs të veçantë pasi presioneve e kërcënimeve nga Beogradi. Kërkesa e presidentit serb Aleksandër Vuçiç që efektivët të rikthehen në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës së Veriut shihet si dështim i përpjekjeve të tij për ta destabilizuar Kosovën.

“Kërkesa e Vuçiç për të kthyer punonjësit e komunitetit serb të policisë në pozitat ku ata u dorëhoqën me direktiva dhe presion të Vuçiçit është një dështim i skenarit të tij paraprak për ta destabilizuar Kosovën por edhe për t’i fajësuar institucionet e Republikës së Kosovës”, deklaroi për A2 ish-zv/i Brendshëm, Valdet Hoxha.

Kthimi i disa policëve të njëjtë që dhanë dorëheqje shihet i pamundur për shkak të përfshirjes së tyre në aktivitete kriminale.

“Personat e tillë të cilët e kanë lëshuar dhe janë të varur nga politika e Vuçiçit dhe forma e dorëheqjes së tyre, e uniformës së Policisë së Kosovës, mendoj se ata nuk kanë vend në Policinë e Kosovës mirëpo ata mund të konkurrojnë në konkursin që hapet”, u shpreh për A2 CNN, Refki Morina, nënkolonel në pension i Policisë.

E vetmja mënyrë që serbët të përfshihen në Policinë e Kosovës është hapja e një konkursi të ri dhe në bazë të meritës duke plotësuar kushtet e duke kaluar filtrat e sigurisë t’iu besohet uniforma e policisë. Mirëpo autoriteteve iu sugjerohet të kërkojnë edhe një garanci që një lojë e ngjashme me dorëheqje të mos përsëritet në të ardhmen.

“Angazhimi i tyre në Policinë e Kosovës dhe të gjithë pjesëtarëve të PK bëhet konform ligjit mbi policinë dhe rregullores së brendshme të PK, pra duhet të hapet konkursi dhe në konkurs të konkurrojnë të gjithë pjesëtarët e të gjitha nacionalitete të tërë Kosovës”, theksoi për A2 Morina.

“Besoj duhet edhe një garanci ndërkombëtare që mos të jetë kjo një lojë e radhës së Vuçiçit, por në konkurset e organizuara nga Republika e Kosovës çdo pjesëtar i komunitetit serb t’i nënshtrohet konkursit të rregullt, që i plotësojnë kushtet pse jo edhe të kthehen në vendet e tyre ku kanë qenë duke shërbyer dhe ku janë larguar me direktiva të një shteti tjetër”, theksoi për A2 ish-zv/i Brendshëm, Valdet Hoxha.

Kërkesa e Vuçiçit për të përfshirë komunitetin serb në Policinë e Kosovës shihet edhe si ndikim nga vizita e shefit të CIA-s në rajon javë më parë në tentativat për të rikthyer normalitetin dhe zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos