Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë pritet të shtrenjtohet me deri në 30% për bizneset e mëdha.
Kështu paralajmërojnë përfaqësues të disa komapanive të licencuara furnizimin me energji elektrike për Radion Evropa e Lirë. Zyra e Rregullatorit për Energji ka marrë vendim që nga data 1 qershor të gjitha kompanitë e mëdha të kalojnë në tregun e hapur të energjisë, përcjell A2.
Aktualisht, këto biznese furnizohen nga Operatori për Furnizim me Energji, si furnizuesi kryesor i licencuar, me çmime të rregulluara nga Zyra e Rregullatorit për Energji. Ndërsa nga 1 qershori, kompanitë e mëdha duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre, me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.
Aktualisht, në tregun e lirë të Kosovës janë të licencuara 18 kompani që ofrojnë furnizim me energji elektrike, shumica prej të cilave janë nga Kosova, por ka edhe kompani nga rajoni. Disa prej tyre kanë nisur negociatat me prodhues të energjisë në rajon për të siguruar kapacitetet e nevojshme për furnizimin e klientëve të rinj.
Drilon Brahimi, drejtor i përgjithshëm i kompanisë TredintGroup, e cila u licencua për furnizim me energji elektrike në fund të vitit të kaluar, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë në fazën e hulumtimit të tregut për të siguruar çmime më të volitshme, por ende nuk kanë nënshkruar asnjë kontratë me kompani prodhuese nga rajoni.
Megjithatë, Brahimi thekson se çmimi për muajt e parë pritet të jetë deri në 30% më i lartë se tarifat aktuale të energjisë. Nga 1 maji hyjnë në fuqi tarifat e reja, me një rritje prej 16,1%, por ato nuk do të zbatohen për bizneset me mbi 50 punëtorë. (A2 Televizion)