Zyrë e re postare në Leposaviç, Kurti: S’ka më operatorë të palicensuar, tani kemi Postën e Kosovës

Nga Rosalba Bejdo
28 Prill 2025, 20:17 | Aktualitet

Një zyrë e katërt e Postës së Kosovës u hap këtë të hënë në komunën e Leposaviçit, në veriun e vendit. Të pranishëm në përurimin e zyrës së objektit të kthyer nën menaxhimin e autoriteteve të Kosovës ishin kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e po ashtu kryetari i Komunës së Leposaviçit, Lulzim Hetemi.

Kurti përgëzoi dhe falënderoi Postën, Ministrinë e Ekonomisë dhe Komunën e Leposaviçit për punën e bërë dhe tha se hapja e zyrës së re në pronën e rikthyer, është nderthyurje e ligjshmërisë dhe cilësisë, shkruan A2.

“Ky është një lloj bashkëdyzimi i ligjshmërisë dhe cilësisë. Ata operatorët e palicencuar që kanë funksionuar më herët janë mbyllur dhe tash e kemi Postën e Kosovës, ku përveç dërgesave të zakonshme të Postës, mund të pranohen edhe mjete financiare në euro për qytetarët e Leposaviçit”, tha Kurti.

Nga Posta e Kosovës thanë se në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç– tani ky institucion ka trembëdhjetë pika. Shumica e pikave – 11 prej tyre – sipas Postës, janë hapur vetëm në dy vitet e fundit.

Megjithatë, një nga pikat e Postës së Kosovës në Zveçan më 1 prill u sulmua me dy granata dore vetëm pak ditë pasi kjo pikë ishte hapur. Hapja e zyrave të reja postare të menaxhuara nga autoritetet e Kosovës, vjen pas mbylljes së organeve të përkohshme komunale të cilat funksiononin sipas sistemit të Serbisë, mes tyre edhe posta e Serbisë në veri.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos